Hapja e negociatave me BE-në, Dimitrov: Reformat e kërkuara po realizohen

03.05.2019 18:25

Komisionit Evropian do të publikojë raport progresin për Maqedoninë e Veriut më 29 maj...

Komisionit Evropian do të publikojë raport progresin për Maqedoninë e Veriut më 29 maj. Reformat janë thelbësore për marrjen e datës. Shefi i diplomacisë, Dimitrov, thotë se janë bërë mjaft reforma për të dëshmuar se vendi ka kapacitet reformues dhe ai nuk beson se asnjë vend anëtar i Unionit do ta nënvlerësojë atë që është arritur në këtë drejtim.

“Jemi në fazë kur Komisioni përgatit dhe finalizon raportin që do të publikohet pas tri javëve. Atë që ne e marrim si sinjal është se edhe në bazë të arritjes së reformave, edhe në bazë të zgjidhjes së çështjeve bilaterale, kemi realizuar ngjarje të madhe këtë vit dhe është shumë e  rëndë një shtet të thotë “jo” për storien e Maqedonisë për vitin 2018”,- deklaroi ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.

OSMANI: CENSUSI, REFLEKTIM I KAPACITETIT DEMOKRATIK

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, vlerëson se një proces zgjedhor korrekt dhe arritja e censusit do të jenë kryesore që Maqedonia e Veriut t’i dëshmojë BE-së se vendi është i gatshëm për fillimin e bisedimeve.

“Censusi i arritur më 5 maj, zgjedhjet e suksesshme më 5 maj, pavarësisht se kush fiton, do të jetë reflektimi më i mirë për kapacitetin demokratik, për pjekurinë tonë si shtet dhe si qytetarë, për të vendosur për fatin tonë dhe për t’u dhënë mesazh vendeve anëtare se ne jemi të gatshëm për të filluar bisedimet. Nga bisedat bilaterale që i kishim në Berlin, unë jam optimist, në qershor është mundësi e mirë për të marrë vendim për fillim të negociatave”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.

VMRO-DPMNE: NUK KA REFORMA E AS DATË NË QERSHOR

Por, nga VMRO-DPMNE-ja edhe një ditë më parë këmbëngulën se  reforma nuk ka, pra nuk do të ketë as datë në qershor. 

“Për të gjithë është e qartë se edhe këtë qershor datë për fillim të negociatave me BE-në nuk do të ketë. Për fat të keq, s’do të ketë. Themi për fat të keq, sepse kjo është në dëm vendit dhe të të gjithë qytetarëve. Kjo është kështu sepse nuk ka reforma në sferat kyçe”,- tha nënkryetari i LSDM-së, Aleksandër Nikollovski.

KOCIANÇIQ: VAZHDONI REFORMAT, RAPORTI PO HARTOHET

Edhe Brukseli ripërsërit se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të zbatojë reformat. Zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiq, në një intervistë për TV Klan Maqedoni, ripërsëriti mesazhin e përfaqësuesve të lartë të BE-së, Mogerini dhe Han, se gjithsesi objektivi i Komisionit Evropian është hapja e negociatave.

“Është e rëndësishme që përveç arritjes historike të Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut të vazhdojë të zbatojë reformat e nevojshme për vendin dhe për integrimin evropian. Ne po hartojmë raportin tonë dhe ai do prezantohet në pranverë. Ky është synimi ynë. Nga ana tjetër, Këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian mori një vendim një vit më parë, që t’i rikthehet kësaj çështje në qershor të këtij viti. Ky është angazhimi që është marrë. Nuk do të mund të futem në çështjet procedurale të çdo shteti anëtar. Nuk më takon mua ta bëj këtë, por synimi i Komisionit Evropian është i qartë, ashtu siç është angazhimi i marrë nga Këshilli i ministrave të BE-së”,- tha zëdhënësja e KE-së, Maja Kocianciq.

Kocijançiq në intervistën për TV Klan tha se raporti do të shërbejë si bazë për marrjen e vendimit nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)