Samiti i “Brdo Brionit” në Tiranë, Mogherini me mesazhe për negociatat

03.05.2019 18:36

Pas Berlinit, liderët e rajonit dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini....

Pas Berlinit, liderët e rajonit dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, do të mblidhen në Tiranë më  8 dhe 9 maj, në kuadër të takimit të radhës të procesit “Brdo Brioni”.

Në një intervistë për mediat në Shqipëri, zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç, deklaroi se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për rrugëtimin europian të Ballkanit Perëndimor, duke marrë shembull Marrëveshjen e Prespës.

“Në takimin e Berlinit përfaqësuesja e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, zhvilloi takim dypalësh me liderët e rajonit. Në këto takime dypalëshe u diskutua situata në rajon, si dhe u rikonfirmua rëndësia dhe angazhimi  ndaj bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pajtimit, ku Marrëveshja e Prespës paraqiti një shembull historik.”,- tha zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç.

E pyetur se çka prodhoi Samiti i Berlinit për dialogun Kosovë-Serbi, Brukseli zyrtar thekson se takimi ishte një hap përpara si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

“Ne mirëpresim çdo angazhim në mbështetje të dialogut, duke përfshirë takime të mëtejshme. Çdo takim është i dobishëm dhe mund të jetë një kontribut, një mbështetje, por dialogu ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Është e qartë se qeveria e Kosovës duhet të pezullojë tarifat për të lejuar rifillimin e shpejtë të dialogut”,- tha më tej Kocijançiç.

Pjesëmarrjen në Samitin e Tiranës e ka konfirmuar tashmë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Samiti shihet nga Serbia si një mundësi për të dërguar një mesazh të fortë për faktorin ndërkombëtar se interesat e serbëve në Kosovë dhe se interesat e Serbisë në dialogun me Prishtinën nuk mund të shkelen. (Gazmend Kurtishi, TVM2)