Parlamenti miratoi një sërë propozim-ligjesh
Shumica parlamentare vazhdon miratimin e projekt-ligjeve për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve të propozuara nga Qeveria, pa opozitën.......

Në mungesë të debatit, ndërhyrjeve me amendamente, procesi i miratimit madje është shpejtuar.
Ndërhyrja e kohëpaskohshme e deputetëve ishte ndërhyrje sa për të plotësuar përfaqësuesit e Qeverisë pas arsyetimit të projekt-ligjeve të propozuara. Në seancën e sotme, për më pak se dy orë u miratuan 10 Propozim-ligje, disa në fazë të parë, të tjerat në fazë të dytë.
Pa shumë debat u miratuan edhe ndryshimet në Ligjin për Revizion, i cili mbante shenjën e BE-së, si Propozim-ligj me rëndësi për procesin eurointegrues.
“Me propozim-ndryshimet e Ligjit për Revizion, në masë të madhe kryhet riharmonizim i Ligjit për Revizion me direktivën e UE-së, në pjesën e sistemit të kontrollit të kualitetit, të cilit i nënshtrohen revizorët e autorizuar, shoqëritë për revizion dhe revizorët e autorizuar tregtar individual. D. m. th. me këtë propozim-ligj saktësisht është rregulluar përfshirja dhe procedura e kontrollit të punës, të cilët i nënshtrohen subjektit të kontrollit, të cilën e zbaton Instituti i Revizorëve të Autorizuar të RM-së, si dhe vendosen kritere për personat të cilët kryejnë kontrollin dhe atë përvojë profesionale dhe trajnim të detyruar për kryerjen e kontrollit të kualitetit”- deklaroi zëvendësministri i Financave, Ardian Xheladini.
Veç këtij Ligji, deputetët e shumicës parlamentare miratuan Propozim-ligjin për parandalim të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit; Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për furnizime publike; Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatim mbi vlerën e shtuar dhe disa ndryshime të tjera ligjore. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
