TIRANË

Tiranë, Qeveria në “luftë” me Presidencën

01.09.2014 18:37

Sesioni i ri parlamentar ka nisur me bojkotin e opozitës, ashtu siç edhe e kishte paralajmëruar prej 1 muaji...

Opozita ka refuzuar të marrë pjesë në shqyrtimin e dekreteve të presidentit, i cili rrëzoi Ligjin për Reformën Territoriale, për Policinë, për Gjykatën Administrative, si dhe për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Kuvendi pritet t’i rrëzojë këto dekrete, gjë që ka ndodhur paraprakisht edhe në Komisione, duke nxjerrë në pah edhe njëherë konfliktin e hapur Qeveri-Presidencë.

Bojkotin e ka paralajmëruar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sot në mesditë, duke deklaruar se Opozita nuk merr pjesë në Kuvend, aty ku ajo është dhunuar disa herë.

Ligjet e rrëzuara nga presidenti me anë të një dekreti të posaçëm, kanë mbjellë mjaft debate në politikën shqiptare. Mazhoranca ka deklaruar se i ka konsultuar gjerësisht këto Ligje, të cilat janë kthyer nga Nishani në kundërshtim të hapur me Ligjin. (Luljeta Ndoka, TVM2)