Islamabad, valë e re e protestave, vdesin 3 persona
Protestuesit antiqeveritar dhe policia, janë përleshur përsëri në kryeqytetin Islamabad të Pakistanit, pas disa javësh të demonstratave, në të cilat është kërkuar dorëheqja e kryeministrit, Naëaz Sharif..

Që nga e shtuna, dhuna ka shkaktuar vdekjen e të paktën tre vetëve dhe plagosjen e mbi 400 të tjerëve.
Raportohet se turmat e protestuesve me gurë dhe shkopinj janë përpjekur të thyejnë Kordonin e Policisë, që të depërtojnë në zyrën e kryeministrit pakistanez, ndërsa Forcat e Sigurisë u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe plumba plastikë ndaj demonstruesve.
Ushtria, dje u ka tërhequr vërejtjen demonstruesve dhe autoriteteve që t’i zgjidhin mospajtimet, të cilat filluan më 15 gusht, kur mijëra mbështetës të liderit opozitar, Imran Khan dhe klerikut popullist, Tahir ul-Qadri, ishin tubuar për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Sharif.
Ushtria ka thënë se është obligim i saj për ta mbrojtur sigurinë e Pakistanit. Por, drejtuesit e protestës akuzojnë kryeministrin, Sharif, për vjedhje në zgjedhjet e vitit 2013, pas të cilave ai u bë kryeministër. Ata thonë se protestat do të vazhdojnë deri sa kryeministri pakistanez të japë dorëheqje. (Sanije Kasami, TVM2)
