Maqedoni
Zgjedhjet Presidenciale 2019, gjithsej 4250 vëzhgues, 809 të huaj
05.05.2019 17:55
Raundi i dytë i procesit zgjedhor presidencial monitorohet nga gjithsej 4250 vëzhgues

Raundi i dytë i procesit zgjedhor presidencial monitorohet nga gjithsej 4250 vëzhgues, prej të cilëve 3381 vendorë, 809 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 60 gazetarë të huaj.
Misioni i OSBE - ODHIR-it ka mbikëqyrur procesin zgjedhor për presidentin e ri me 150 vëzhgues.
Shefja e misionit vëzhgues të OSBE-së, Korin Junker, theksoi rëndësinë e një procesi fer, demokratik dhe të qetë.
Pa theksuar ndonjë vërejtje, ajo paralajmëron se i gjithë procesi do të komentohet një ditë pas zgjedhjeve.
“OSBE-ODHIR është këtu të shohë nëse zgjedhjet zhvillohen sipas standardeve evropiane. Këtu ne mbikëqyrëm një vendvotim mes atyre të gjitha vendvotime që mbikëqyren nga ekipi ynë në tërë rajonin. Pasqyrë të pastër për procesin do të kemi nesër. E dimë se duhet të arrihet censusi prej 40% që këto zgjedhje të jenë valide. ODHIR ka rekomanduar edhe më herët, që ky census të tërhiqet, sepse nëse nuk arrihet, do të duhet të përsëriten zgjedhjet. Por, nesër do të dimë më tepër në lidhje me këtë”,- tha shefja e misionit të OSBE – ODIHR-it, Korin Junker.
Procesin e votimit e ka vëzhguar edhe ushtruesja e detyrës ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Micaela Bluhm, e cila ka porositur që qytetarët të votojnë të lirë dhe pa presione.
Nga Asociacioni qytetar MOST, që ndjek votimin me mbi 1500 vëzhgues, njoftojnë se votimi ka ecur në atmosferë të qetë, ndërsa janë regjistruar vetëm disa parregullsi të cilat janë izoluar, edhe atë në Shtip, Kratovë, Kumanovë dhe Prilep.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
