Presidencialet 2019, Ahmeti: Konsensualiteti, rruga e vetme drejt BE-së

06.05.2019 11:31

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, duke falënderuar votuesit për mbështetjen....

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, duke falënderuar votuesit për mbështetjen që i dhanë idesë së konsensualitetit, theksoi se kjo ishte alternativa e vetme drejt NATO-s dhe BE-së.

Ahmeti pranoi se gjatë kësaj periudhe të fushatës e ka pasur shumë të vështirë për ta sqaruar konceptin e konsensualitetit, dhe tani pas kësaj fitoreje të sigurt të kandidatit të tyre, ai Pendarovskin e porosit të bëjë detyrën, duke respektuar parimin e konsensualitetit. Ai gjithashtu shfaqi një dozë dëshpërimi kundrejt opozitës shqiptare, duke thënë që priste më shumë nga ata.

“Fitorja e kandidatit tonë na hap rrugën drejt anëtarësimit të plotë të vendit në NATO, por dhe afron vendin tonë drejt fuqive të mëdha. Vendi ynë është i përgatitur dhe pret sa më parë bisedimet për anëtarësimin e vendit tonë në BE. Do të doja të falënderoja të gjitha shtabet zgjedhore që me sukses kanë udhëhequr këtë fushatë. E kemi pasur shumë të vështirë për të shpjeguar këtë koncept, konceptin e presidentit konsensual. Jam i dëshpëruar me opozitën shqiptare me bojkotin që shfaqën sot. Nga ana tjetër falënderoj partitë shqiptare në pozitë. I uroj Pendarovskit fitoren dhe i them të respektojë kushtetutën dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Presidenti i ardhshëm të ketë parasysh vullnetin e qytetarëve në respekt të Kushtetutës së Republikës dhe të jetë pjesë e proceseve në përmbyllje të plotë të procesit të anëtarësimit në NATO, por dhe hapjen e negociatave me BE-në. Pa hyrë në detaje, por nga të dhënat që më jep sektori analitik lëvizet prej 100 deri në 130 mijë vota që janë siguruar nga aktivistë tanë, nga votuesit shqiptarë”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.