Rasti "Monstra", dëshmitarët e Lutës përgënjeshtrojnë E1-in
Seanca gjyqësore për rastin "Monstra" ka vazhduar me dëshmitarët e mbrojtjes....

Seanca gjyqësore për rastin "Monstra" ka vazhduar me dëshmitarët e mbrojtjes, Senat Bushin, Valdetë Bushin dhe Jonçe Ivanovskin. Dy dëshmitarët e parë folën për të akuzuarin, Sami Luta, dhe fizionominë e tij para vrasjes së pesëfishtë ne Liqenin e Smillkovës.
Si dasmorë i tyre në shkurt të viti 2012 , ata e përshkruan atë me flokë të shkurtra dhe pa ndonjë shenjë të kuqe në fytyrë. Kjo, sipas mbrojtjes, është në kundërshtim me deklaratën e dëshmitarit të mbrojtur, i cili Sami Lutën një muaj e gjysmë pas dasmës së tyre, disa ditë para vrasjes së pesëfishtë e ka përshkruar me flokë të gjata deri në shpatulla dhe me një shenjë të kuqe në fytyrë.
Dëshmitarët në fjalë kishin dëshmuar edhe në vitin 2014. Për verifikimin e kësaj dëshmie ekziston edhe video-incizim i dasmës së dëshmitarëve, ndërsa mbrojta paralajmëroi edhe dëshmitarë të tjerë që do të dëshmojnë për këto rrethana.
IVANOVSKI: TE FEJZI AZIRI NUK KISHTE ASGJË TË DYSHIMTË
Dëshmitari, Jonçe Ivanovski, dëshmoi për të akuzuarin, Fejzi Azirin. Ai tha se qëndron në dëshminë paraprake, ndërsa edhe një herë konfirmoi se me të akuzuarin njihen shumë më herët si fqinjë në Bilinbeg, ku i kanë pasur bizneset e tyre.
Ai para trupit gjykues dëshmoi se së bashku me Fejzi Azirin më 12 prill 2012 kanë qenë në komunë për shkak të ceremonisë së organizuar për dhënien e vendimeve për legalizim të pronave.
Më tej sqaroi se me të akuzuarin kanë pasur raporte korrekte dhe se nuk e beson atë për të cilin ai është akuzuar.
Në pyetje të gjykatësit tha se edhe pas vrasjes së pesëfishtë nuk ka vërejtur ndonjë dallim në sjelljen e tij apo lëvizje të dyshimta të personave të panjohur në afërsi. Tha se ndjen keqardhje për vrasjen dhe se nëse do të kishte parë diçka të dyshimtë do ta paraqiste dhe nuk do të frikohej nga askush. Ndërmjet tij dhe prokurores Fetai pati një konfrontim sa i përket pyetjeve të parashtruara nga prokurorja dhe, siç tha dëshmitari, tentimin për ta përgënjeshtruar dëshminë e tij të dhënë në gjykimin e parë për këtë rast.
Seanca e radhës më 14 maj do të vazhdojë me dëshmitarë të mbrojtjes. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
