Vizita e Papës, Shkupi me regjim të veçantë komunikacioni

06.05.2019 14:42

Me rastin e vizitës së Papës në Shkup...

Me rastin e vizitës së Papës në Shkup, nga Qyteti i Shkupit njoftojnë se nesër prej orës 6:00 të mëngjesit deri në orën 19:00, në pjesën qendrore të kryeqendrës do të ketë ndalesë dhe kufizime në komunikacion.

Të gjitha automjetet do të zhvendosen për lëvizje përreth qarkoreve  të Shkupit, për të mos u shkaktuar kaos në komunikacion.

Në periudhën e lartpërmendur do të formohet zona restriktive, për lëvizje. Për qarkullimin e  automjeteve  tërësisht të mbyllura do të jenë rrugët “11 tetori” deri tek udhëkryqi bashkë me Bulevardin “Koço Racin”, si dhe rrugët “Dimitrie Çupovski”, “Dame Gruev”, “Maqedonia”, rruga  “Vasil  Gllavinov” dhe “Filipi i Dytë”. Në periudhën e vizitës apostolike të Papa Françesku, lëvizja për këmbësorët në rajonin qendror të Shkupit do të jetë e lejuar, por e ngadalësuar për shkak të  ngritjes së nivelit të sigurisë.

Të gjithë qytetarët gjatë lëvizjes në këtë zonë prej orës 6 deri në orën 19 do të jenë të obliguar që të identifikohen me anë të dokumenteve personale të identifikimit. “Ura e Gurit”, “Syri” dhe “Ura e Arteve” do të jenë tërësisht të mbyllura për qarkullim nga të dyja anët e lumit Vardar. Të gjithë qytetarët të cilët jetojnë apo punojnë rreth sheshit “Maqedonia” do të kenë mundësi për qarkullim të lirë dhe pa ngecje, por që me rëndësi është që me vete t’i mbajnë dokumentet e identifikimit. Në këto zona do të jetë e ndaluar qarkullimi me mjete motorike, automjete, apo edhe me biçikletë.