Maqedoni
Dorëhiqet ministri i kulturës për shkaqe shëndeti
06.05.2019 16:17
Ministri i kulturës, Asaf Ademi, dha dorëheqje nga funksioni të cilin e ushtroi deri më tani për arsye shëndetësore...
Dorëheqjen e tij Ademi tha se ia ka dorëzuar kreut të qeverisë para fillimit të fushatës për presidencialet, e që dorëheqja e tij nuk ka të bëjë me fshesën e paralajmaruar nga kryeministri Zaev.
“Pas shpjegimeve dhe arsyetimeve të mia që kanë të bëjnë me arsye shëndetësore, Kryesia Qendrore e pranoi kërkesën time, por që të mos ndikojë në procesin zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale, vendosëm që publikimin e saj ta bëjmë pas përfundimit të procesit zgjedhor”,- deklaroi ministri i kulturës në largim, Asaf Ademi.
Ademi: Kultura do t’i mbetet Alterantivës
Sipas Ademit, partia Alternativa do të vazhdojë të mbetet pjesë e koalicionit qeveritar. Vendimi, siç tha, është marrë pas bisedave të realizuara mes kryetarit, Afrim Gashi, me kryeministrin Zaev, ndërsa resori i kulturës do të vazhdojë t’i takojë Aleternativës.
Zaev: Varet nga kuadrot në dispozicion
Kryeministri Zaev tha se është njoftuar për dorëheqjen edhe atë para zgjedhjeve presidenciale, por shtoi se ende nuk dihet se kujt do t’i takojë ky post.
“Ajo varet nga kuadrot. Askush nuk është i radhitur për sferë apo resor të caktuar. Varet nga kuadrot që do të jenë në dispozicion, para së gjithash nga ne si parti më e madhe në koalicion, por edhe të gjitha partitë e tjera politike që edhe më tej do të funksionojnë në koalicionin qeveritar dhe shumicën qeveritare”,- theksoi kryeministri i RVM-së, Zoran Zaev.
Ministri në dorëheqje, Asaf Ademi, deklaroi se postin e ministrit do ta ushtrojë deri në emërimin e ministrit të ri.
MERITA GASHI
