Maqedoni
Zaev: po bëjmë analiza, pastaj fillojmë me ndryshime. Osmani: jemi të kënaqur me kuadrot, për ndryshime vendos Ahmeti
06.05.2019 16:39
Ndryshimet për të mënjanuar dobësitë e ekzekutivit do të nisin, ndërsa në të do të përfshihen edhe kuadrot e LSDM-së...

Ndryshimet për të mënjanuar dobësitë e ekzekutivit do të nisin, ndërsa në të do të përfshihen edhe kuadrot e LSDM-së, paralajmëroi kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev, një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale.
Duke folur për “fshesën” e paralajmëruar pas zgjedhjeve, Zaev tha se ndryshimet do të fillojnë nga Qeveria, ku do të përfshihen zëvendësministrat, sekretarët shtetërorë, sipas vertikales në institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, shoqatat e aksionarëve në pronësi shtetërore e kështu me radhë.
“Prej sot do të filloj të bëj analiza, gjithsesi në konsultime të caktuara me bashkëpunëtorët e parë për shkak se kujdesi fillimisht është i imi. E dini se duhet të mbyllen zgjedhjet me shpallje zyrtare nga Komisioni shtetëror zgjedhor me vetë raportin në mënyrë që t’i fillojmë procedurat e tilla. Unë jam kompetent në pushtetin ekzekutiv, këtu do të ketë ndryshime. Kemi ndërmend edhe të bëjmë ndryshime të caktuara në kuadrot nga radhët e LSDM-së, me bartës të caktuar të funksioneve, në nivel lokal dhe qendror, të gjithë së bashku”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, theksoi se për BDI-në kuadrot momentale kanë treguar sukses, por se për çdo ndryshim të mundshëm fjalën e fundit do ta thotë lideri i partisë, Ali Ahmeti.
“Sa i takon BDI-së, kemi themelim të një ministrie të re për sistem politik. Kurse sa i takon resoreve tjera apo drejtorive, mbetet vlerësimi i kryetarit Ahmeti, i cili mund të kërkojë ose jo ndonjë ndryshim në këtë drejtim, edhe pse e kam vlerësuar më parë se BDI është e kënaqur me këtë Qeveri, pasi në këtë mandat kemi mbushur programin zgjedhor”,- theksoi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Kryeministri Zaev theksoi se “është koha të gjithë t’i përveshim mangët”, ndërsa shtoi se “me ndryshimet e reja, do të vijnë kuadro të cilët do të duhet të nxjerrin mësime, për të mos i përsëritur gabimet e njëjta si ato të mëparshmet, si dhe të tregojnë rezultate edhe më të mëdha se ato më parë”.
ZEKIRJA MEXHITI
