Maqedoni
Nesër në RMV Papa Françesku, institucionet shtetërore të përgatitura
06.05.2019 17:40
Institucionet e Maqedonisë së Veriut janë të gatshme të presin në vizitë historike, për herë të parë...

Institucionet e Maqedonisë së Veriut janë të gatshme të presin në vizitë historike, për herë të parë, përfaqësuesin e lartë të Vatikanit, Papa Françeskun.
Nesër në Shkup pritet të qëndrojnë mbi 15 mijë qytetarë, por edhe përfaqësues shtetërorë të shteteve të rajonit dhe me gjerë.
“Vizita e tij në këtë moment kur shteti ynë hapëron drejt rrugës së integrimit evropian dhe atlantik, dhe kur aktivitetet reformuese i japin rezultatet e para të dukshme, kjo e përmbush në mënyrë shtesë kohezionin e brendshëm dhe e fuqizon bashkëjetesën, bart porosi për paqe dhe solidaritet”,- tha sekretari gjeneral i përgjegjës për vizitën, Viktor Dimovski.
Edhe nga Ministria e Shëndetësisë do t’u përgjigjen të gjitha nevojave shëndetësore të qytetarëve dhe turistëve të cilët gjatë ditës së vizitës së Papës do t’i marrin në Spitalin “8 Shtatori” dhe “Shën Naumi”. Në klinikë të gjitha terminet shëndetësore janë anuluar dhe do të ricaktohen prej më 8 maj.
“Qendra Klinike në Shkup do të përshtatet në standarde të veçanta evropiane që zbatohen në të gjithë shtetet që i viziton Papa, me qëllim që në mënyrë sa më profesionale dhe sa më të shpejtë të përgjigjet nevojave eventuale mjekësore të delegacionit të lartë të udhëhequr nga Papa. Kjo do të thotë se në Qendrën Klinike prej sot, më 6 maj, prej orës 18 deri nesër në orën 18 nuk do të lejohet parkimi dhe hyrja e automjeteve private në rrethin e kompleksit të klinikave, do të lejohet vetëm hyrja e automobilave të ndihmës së shpejtë”,- tha sekretari shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, Vlladimir Milloshev.
MPB ka paralajmëruar rregulla të reja në komunikacion, me qëllim lëvizjen e papenguar të aktiviteteve të planifikuara.
“MPB, me shumë përgjegjësi dhe me shumë precizitet, po i qaset kësaj çështje. Jemi në kontakte të vazhdueshme me Vatikanin, përfaqësuesit tanë të MPB-së kanë qenë madje atje, përfaqësues të Vatikanit po qëndrojnë këtu, po merren të gjitha masat e nevojshme dhe unë ju garantoj se dita e nesërme e vizitës do të kalojë në mënyrën më të mirë”,- u shpreh zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellov.
Qytetarëve u rekomandohet që të përdorin transporti publik, i cili do të jetë falas. Të punësuarit në Shkup duhet të shmangin rrugët e qendrës dhe të përdorin ato dytësore, me qëllim që të arrijnë në destinacionin e tyre.
Bulevardi “Filipi II” do të jetë i mbyllur së bashku me Urën tek “Holiday Inn” si dhe rrugën përpara Parlamentit që të shpie drejt “Rekordit”.
Bulevardi “Ilinden” do të jetë i hapur për trafik, si dhe bulevardi “Goce Dellçev”, i cili përmes urës shpie drejt kompleksit të gjykatave. Bregu i lumit Vardar nga të dyja anët është zonë e ndaluar për çdo lëvizje, ndërsa të mbyllur do të jenë “Ura e Gurit” dhe urat tjera për këmbësorë.
Hyrja në hapësirat ku mbahet Mesha e Shenjtë do të jetë e hapur prej orës 6:00 deri në orën 9:00 dhe të gjithë pjesëmarrësit e paraqitur deri në këtë kohë duhet të jenë në shesh.
Në Sheshin “Maqedonia”, ku mbahet Mesha e Shenjtë, do të mund të hyjnë vetëm pjesëmarrësit e paraqitur me bileta dhe dokumente identifikimi, të cilat paraprakisht i kanë marrë gjatë regjistrimit ose nga udhëheqësi i grupit.
REJHANE BUSHI METAJ
