Maqedoni
Presidencialet, 2019 OSBE-ODIHR: zgjedhjet kaluan në atmosferë demokratike
06.05.2019 18:43
Rrethi i dytë i zgjedhjeve u zhvillua në atmosferë të qetë dhe demokratike, thuhet në vlerësimin e dhënë nga ana e misionit të OSBE-ODIHR-it...

Përfaqësuesit e misionit monitorues ndërkombëtar OSBE-ODIHR vlerësuan dhe punën e mediave, sipas të cilëve, të njëjtat kanë raportuar në mënyrë transparente dhe të balancuar, ndërsa gjatë gjithë fushatës ka pasur shumë debate televizive të cilat i kanë ndihmuar votuesit në vendimmarrje.
“Të gjithë kandidatët kishin mundësinë të zhvillojnë fushatë të papengueshme dhe pamë se liria themelore e tubimit dhe shprehjes është respektuar. Në të njëjtën kohë funksionarët shtetërorë u munduan të bëjnë dallimin mes aktiviteteve zyrtare dhe politike, dhe t’i ikin shfrytëzimit të resurseve shtetërore gjatë fushatës. Monitorimi medial vërteton se mediumet kanë plasuar informacione të ndryshme për kandidatët dhe partitë politike të cilat i kanë përkrahur me numër të madh të programeve dhe debateve të kandidatëve”,- tha shefja e misionit vëzhgues të OSBE-ODiHR-it, Corien Junker.
Për vëzhguesit ndërkombëtarë vazhdojnë të mbeten shqetësuese mangësitë në kornizën ligjore, andaj sipas tyre nevojiten ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Nga OSBE-ODIHR u tha se gjatë procesit të djeshëm zgjedhor janë informuar edhe për disa parregullsi të vogla zgjedhore, madje shtuan se i kanë regjistruar edhe vërejtjet të deklaruara nga ana e opozitës maqedonase VMRO-DPMNE.
Shefja e misionit të OSBE-së, Sereine Mauborgne, tha që organizimi i mirë në zgjedhje është tregues i mirë se sa mund të arrihet nëse ka vullnet politik.
“Ky cikël i zgjedhjeve tani arriti deri në një fund të suksesshëm gjatë të cilës votuesit kishin mundësinë të përzgjedhin lirshëm në mes të opsioneve të ndryshme. Dalja më e madhe e votuesve gjatë ditës së djeshme e dëshmon vendosmërinë e popullatës të bashkohet dhe t’i përgjigjet sfidave me të cilat vendi po përballet. Le t’i mbetet lidershipit politik ta marrë mesazhin dhe të ndërmarrë reforma të vërteta”,- theksoi koordinatorja speciale e OSBE-së, Sereine Mauborgne.
Marie Christine Dalloz - shef i delegacionit parlamentar të këshillit evropian, theksoi se zgjedhjet nuk janë të kufizuara vetëm në ditën e zgjedhjeve, prandaj reformat duhet vazhduar.
“Zgjedhjet nuk u vëzhguan vetëm për pjesën e votimeve, delegacioni ynë vlerëson se probleme të caktuara të cilat vazhdimisht përsëriten pas procesit zgjedhor mbesin të pazgjidhura. Në veçanti duhet të zhvillohen reformat në Ligjin e zgjedhjeve dhe në përgjithësi të sistemit politik si dhe të garantohen përfshirje aktive e qytetarëve në procesin zgjedhor, pa marrë parasysh etnicitetin e tyre. Këto zgjedhje treguan transparencë dhe në veçanti kontroll mbi financimin e fushatës zgjedhore”,- tha shefi i Delegacionit parlamentar të Këshillit Evropian, Marie Christine Dalloz.
Vëzhguesit ndërkombëtarë gjithashtu rekomanduan në shtyrjen e afateve për ankesa si dhe të bëhet azhurnimi i listës zgjedhore.
LEUNORA KALIQI
