Papa Françesku: Bashkëjetesa në Maqedoni është shembull për botën

07.05.2019 11:22

Papa Françesku filloi vizitën e tij të parë në Maqedoninë e Veriut....

Papa Françesku filloi vizitën e tij të parë në Maqedoninë e Veriut në takimin me kreun e lartë shtetëror në vilën Vodno.

Nikoqir i takimit ishte presidenti në largim, Gjorge Ivanov, ndërsa të pranishëm ishin dhe kryeministri, Zoran Zaev, presidenti i sapozgjedhur, Stevo Pendarovski, ministra, përfaqësues nga shoqëria civile si dhe kori diplomatik. Në fjalimin e tij përshëndetës, Papa Françesku tha se bashkëjetesa fetare dhe etnike, toleranca që mbijetuan me shekuj në Maqedoninë e Veriut janë shembull që do të duhet të kontribuojnë në integrimin sa më të shpejtë të vendit.

“Kjo pasuri kulturore është pasqyrë e trashëgimisë suaj më të shtrenjtë, përbërjes multietnike dhe multifetare të popullit tuaj, pjellë e historisë së pasur dhe marrëdhënieve komplekse të vendosura me shekuj përpara. Kjo përzierje mundësoi  arritjen e paqes dhe bashkëjetesës së gjatë ku identitetet e ndryshme zhvillohen pa mohim dhe diskriminim nga të tjerët. Në këtë mënyrë u vendos një marrëdhënie më e mire e tolerancës, për të treguar respekt. Në këtë mënyrë marrëdhënieve iu dha forma, që ju ju bën shembull të cilin duhet ta marrim si udhërrëfyes për bashkëjetesë dhe marrëdhënie të ndërsjella. Kjo është me rëndësi për integrimin e shpejtë në vendet evropiane. Dëshiroj që kjo të jetë e njëjtë edhe për të gjithë Ballkanin, duke respektuar dallimet e njëri-tjetrit dhe të drejtat e njeriut”,- tha Papa Fraçesku.

IVANOV: VINI NË KOHËN KUR SHTETI ËSHTË I LËNDUAR

Presidenti Ivanov, duke iu falënderuar Papës për vizitën e tij historike që ia bëri Maqedonisë, porositi se prania e Papës mund të ndihmojë, siç tha në ripërtëritjen shpirtërore të vendit. Ivanov vazhdimisht në fjalimin e tij e potenconte shtetin me termin  Republika e Maqedonisë dhe në asnjë moment nuk e quajti atë me emrin e ri kushtetues. Ivanov madje foli edhe për situatën aktuale politike, duke e cilësuar atë për momentin të pasigurt.

“Vini në kohën kur shoqëria në Maqedoni është thellë e ndarë, ndërsa shteti maqedonas është i lënduar rëndë për shkak të premtimeve dhe pritshmërive të parealizuara dhe besimi i luhatshëm në bashkësinë ndërkombëtare. Bllokada e rrugës sonë europiane me dekada solli deri te kriza politike dhe morale që e zvogëluan imunitetin tonë shpirtëror dhe i ka venitur vlerat e vërteta dhe të qëndrueshme. Kisha dhe xhamia shërbejnë për keqpërdorim si barriera për mbrojtjen e territoreve të trilluara, sikur harrohet se të gjithë ne jemi njerëz pa dallim se cilës fe i përkasim. Prandaj, si maqedonas, iu luta që të vini në Maqedoni dhe të na ndihmoni në përtëritjen shpirtërore të atdheut tonë. Ju simbolizoni  mëshirën që ne duhet ta ndjekim në Republikën e Maqedonisë. Vetëm kështu do të mund t’u lëmë ardhmëri të mire të rinjve dhe të palindurve”,- tha presidenti në largim i RMV-së, Gjorge Ivanov.

Presidenti në largim, në fund porositi qytetarët ta njohin simbolikën e kësaj vizite dhe përmes përkuljes dhe faljes të përfshihen në përtëritjen shpirtërore të Maqedonisë para se të bëhet vonë.

Pas takimit me kreun e lartë shtetëror, Papa Françesku vizitoi Qendrën përkujtimore të Nënës Terezë dhe më pas realizoi takime me sektorin civil, kategorinë e qytetarëve me status të rrezikuar, si dhe me krerët e bashkësive fetare. (Merita Gashi, TVM2)