Maqedoni
Analistët: Vota shqiptare determinoi zgjedhjen e presidentit
07.05.2019 14:54
Analistët politikë, Albert Musliu dhe Xhelal Nezeri, në emisionin debativ “Argument” në TVM2....

Analistët politikë, Albert Musliu dhe Xhelal Nezeri, në emisionin debativ “Argument” në TVM2, kanë ripërsëritur qëndrimin se vota shqiptare ka qenë determinuese për zgjedhjen e Stevo Pendarovskit për kryetar të vendit. Sipas analistit Musliu, këto zgjedhje presidenciale kanë definuar edhe fatin e përzgjedhjes së presidentëve të tjerë në vend.
“Kjo peshë e votuesit shqiptar, e cila u definua pastër tani, por ajo ka definuar edhe atë se si do të zhvillohen proceset zgjedhore, së paku ato presidenciale edhe në të ardhmen. Asnjë politikan serioz maqedonas apo shqiptar nuk mund të ketë aspiratë t’i futen këtyre garave me ndonjë narrativë ose të kaluar e cila është ekskluzive vetëm për një etnitet dhe këtë mesazh kësaj here mendoj se e mori edhe VMRO-DPMNE-ja. Ky model për të gjithë ata politikanë të cilët nuk do të mund të përshtaten, do të jetë vdekjeprurës dhe nuk do të mund ta gjejnë vetveten në skenën politike”,- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Nga ana tjetër, analisti tjetër, Xhelal Neziri, pohoi se vendi po harxhon shumë energji dhe mjete financiare për një proces zgjedhor, siç është zgjedhja e presidentit, që do të mund të bëhej edhe në parlament.
“Nuk ka nevojë që një figurë e tillë, të them e parëndësishme në shtet, me këto ingerenca që ka presidenti i Maqedonisë, të mos shkohet më në zgjedhje të drejtpërdrejta, por ai i njëjti të zgjidhet në parlament, ku do të duhet të marrë 2/3 e votave dhe të ketë badenter. Pra, në atë formë presidenti do të jetë konsensual me plot kuptimin e fjalës dhe kështu që do të kishim një president i cili do të ishte i pranueshëm për të gjithë. Ndërsa me procese zgjedhore mendoj se është harxhim i kotë i energjisë, por edhe i parave buxhetore, ku e dimë se çdo palë zgjedhje kushtojnë diku 7 milion euro”,- tha analisti politik, Xhelal Neziri.
Dy panelistët po ashtu theksuan se me zgjidhjen e çështjes së emrit dhe tejkalimin e dallimeve me fqinjët, vendi po shfaqet si model për zgjidhjen e konteksteve tjera në rajon.
FITIM KRYEZIU
