Maqedoni

Papa Françesku, meshë të shenjtë në sheshin e Shkupit

07.05.2019 16:18

Në meshën e shenjtë të mbajtur në sheshin e Shkupit, Papa Fraçesku para mijëra të pranishmëve dërgoi mesazh për paqe...

Në meshën e shenjtë të mbajtur në sheshin e Shkupit, Papa Fraçesku para mijëra të pranishmëve dërgoi mesazh për paqe, bashkëjetesë, si dhe për më shumë dashuri për Perëndinë dhe për njerëzit. Po ashtu mesazhi i kreut të kishës katolike ishte të zëvendësohet indiferenca dhe shpifjet me ndjeshmëri dhe shpresë, për të kapërcyer stereotipat dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin.
 
“Jemi mësuar të hamë nga buka e fortë e dezinformimit. Kemi përfunduar si të burgosur të konformizmit, indiferencës dhe pandjeshmërisë, u ngopëm me lidhshmëri, e kemi humbur shijen e vëllazërisë. Jemi shndërruar në të burgosur të virtualitetit, nuk po e ndjejmë shijen e realitetit. Shpifja, diskreditimi, nuk do t’i mbushin tavolinat tona”,- tha Papa Françesku.
 
Papa nga mesha në sheshin e Shkupit, ku dikur ndodhej shtëpia e shenjtores Nëna Terezë, apeloi të ndiqet vepra e shenjtores, si shembull i vëllazërisë dhe solidaritetit mes njerëzve. 
 
“Uri për bukë, vëllazëri, Zotin... Tërë këtë e njihte Nëna Terezë. Te ajo ishte i pranishëm Krishti, vëllazëria dhe varfëria. Këto dy shtylla e shënuan këtë rrugë. Ajo ishte me Zotin dhe arriti te i nënçmuari, i vetmuari dhe vëllai i harruar. E dinte se dashuria ndaj Zotit ekziston edhe te më i vogli, i vetmuari. Pikërisht ajo dashuri është e mjaftueshme ta ngop të uriturin”,- tha Papa Françesku.
 
Meshën e Papa Françeskut në sheshin e Shkupit e ndoqën rreth 12 mijë qytetarë nga vendet fqinje por edhe më gjerë. Papa ka takuar edhe disa besimtarë katolikë të cilët patën rastin të marrin uratën e kreut të kishës katolike. 
 
REJHAN BUSHI METAJ