Maqedoni

Zaev: Nesër vazhdojnë bisedimet për PSP-në

07.05.2019 16:48

Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëroi vazhdimin me punë të grupeve parlamentare mbi Ligjin për Prokurorinë Publike...

Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëroi vazhdimin me punë të grupeve parlamentare mbi Ligjin për Prokurorinë Publike, me të cilin do definohet e ardhmja e Prokurorisë Speciale. Zaev shpreson të arrihet zgjidhje për këtë çështje, pasi janë të numëruara ditët deri në mbylljen e raportit të Komisionit Evropian për RMV-në.
 
“Besoj se në takimin e nesërm do të konfirmohet mesazhi që kemi dërguar unë dhe z. Mickoski, i cili sipas mendimit tim është një hap drejt arritjes së një zgjidhjeje për një nga dallimet më të rëndësishme që kemi pasur deri tani. Kjo për mua ngjall shpresë se të dyja palët mund të bëjnë pak më shumë përpjekje në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje pikërisht në afatin e caktuar, sepse në të vërtetë janë të numëruara ditët deri në mbylljen e raportit të Komisionit Evropian”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev po ashtu theksoi vendosmërinë e vendit për fillimin e negociatave me BE-në.
 
“Nëse do jetë e mundur do t’i vizitoj edhe 10 herë presidentin Makron, kryeministrin Rutë dhe kancelaren Merkel, miqtë e mi Alexis Tsipras dhe Bojko Borisov e bënë këtë, sepse vendi im është para një vendimi të rëndësishëm për të hapur kapitujt negociues me BE-në. Ky është qëllimi i dytë i rëndësishëm për shoqërinë tonë, e para që arritëm ishte anëtarësimi në NATO. Deri tani, protokolli është ratifikuar nga 12 vende, e para është Greqia. Qëllimi është që t’i përkushtohemi KE-së, por edhe liderëve evropianë, sepse 28 vendet anëtare të BE-së do të vendosin këtë verë për vendin tonë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Sipas kryeministrit Zaev, periudha 14-vjeçare është periudhë tejet e gjatë për të pritur para dyerve të BE-së. Ai më tej shtoi se vendi ynë tregoi shumë vlera evropiane dhe do të vazhdojë të jetë shembull i mirë për Evropën Perëndimore.
 
FLUTURA LATIFI