Maqedoni

Papa Françesku porosi të rinjve: Ëndërroni! Asnjëherë nuk ka ëndrra të tepërta.

07.05.2019 17:08

Në takimin e tij me të rinjtë e Maqedonisë së Veriut, Papa Françesku dëgjoi pyetjet e tyre...

Njëra i la më shumë përshtypje, pyetja e Liridona Sumës.
 
“Ne besimtarët që besojmë në të vetmin zot të mëshirshëm, a mundemi së bashku t’i ofrojmë shpresë kësaj bote të lodhur? Ëndërroj për një botë me marrëdhënie të sinqerta mes individëve dhe bashkësive, mes popujve dhe besimeve. A mos vallë ëndërroj tepër, a mundemi ne të rinjtë myslimanë e krishterë të punojmë bashkë për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”,- tha Liridona Suma.
 
Dhe Papa Françesku u përgjigj kësaj pyetjeje me fjalinë shpresëdhënëse e frymëzuese. “Nëse nuk ëndërrojnë të rinjtë, atëherë ku mbeti ëndrra dhe shpresa për të tjerët në botë”. 
 
“Një pyete shumë e bukur që do të doja t’i përgjigjemi së bashku. Për ju, a ëndërron tepër Liridona? Të ëndërrosh nuk është kurrë e tepërt. Një ndër problemet e kohës sonë janë të rinjtë që kanë humbur aftësinë të ëndërrojnë. Aspak e as shumë ata nuk ëndërrojnë më dhe kur një i ri nuk ëndërron, kjo hapësirë mbushet nga boshllëku dhe trishtimi. E dashur Liridona, kurrë, kurrë nuk mund të ëndërrosh tepër. Mendoni për ëndrrat tuaja më të mëdha, për ëndrrën e Liridonës, jepini shpresë kësaj bote të lodhur bashkë krishterë dhe myslimanë. Kjo është ëndërr e bukur. Ajo nuk ka menduar për një gjë të vogël, të përditshme, por ka një ëndërr të madhe. Dhe ju të rinjtë duhet të ëndërroni gjëra të mëdha”,- tha Papa Françesku.
 
Papa edhe para të rinjve përmendi sërish Nënë Terezën dhe ëndrrën e saj për të lehtësuar dhimbjen për më të varfrit e botës dhe kjo ëndërr e ktheu nga një vajzë e thjeshtë e këtij populli në një njeri frymëzues që i besoi Perëndisë, ajo vuajti, por kurrë nuk hoqi dorë nga ëndrra e saj dhe pjesa tjetër i takon historisë.
 
“Mos lejoni t’ua prishin ëndrrat! Edhe përkundër vështirësive, kërkoni ide kreative, që vështirësitë t’i ktheni në mundësi. Por, kurrë vetëm, sepse asnjë nuk mund të luftojë i vetëm. Bashkimi na jep forcën për t’u përballur me vështirësitë. Është e rëndësishme të ëndërroni, por ëndërroni bashkë jo vetëm”,- u porositi Papa Françesku të rinjve.  
 
MIGENA GORENCA