Maqedoni

Vizita e Papa Françeskut në Shkup, Papa Françesku: Maqedonia, urë mes lindjes dhe perëndimit. Ivanov: Kemi shoqëri të ndarë dhe shtet të lënduar

07.05.2019 18:03

Kreu i Kishës Katolike të Romës, Papa Françesku, mbylli vizitën e tij njëditore në Shkup...

Kreu i Kishës Katolike të Romës, Papa Françesku, mbylli vizitën e tij njëditore në Shkup me mesazhin për tolerancë dhe bashkëjetesë, si vlera që do t’i shërbejnë vendit edhe në procesin e integrimit evropian.
 
“Vendi i juaj paraqet urë mes lindjes dhe perëndimit dhe është vend ku takohen shumë rryma kulturore, ku bashkohen shumë karakteristika të këtij rajoni dhe kjo pasuri kulturore paraqet pasqyrë të trashëgimisë tuaj më të rëndësishme dhe më të vyer, përbërjen multietnike dhe multikulturore të popullit tuaj.”- tha Papa Françesku në fjalimin e tij para krerëve të lartë shtetërorë në vilën presidenciale në Vodno. 
 
“Kjo përbërje prej përkatësive të ndryshme etnike dhe religjioze mundësoi të arrihet bashkëjetesë e sigurt dhe e gjatë, ku identitetet e ndryshme dinin se si të shprehen dhe të zhvillohen pa i mohuar shtyp ose diskriminuar të tjerët. Kështu u ndërtua një marrëdhënie më e mirë se toleranca, ditën të tregojnë respekt. Kështu i dhanë formë marrëdhënieve që në këtë aspekt ju bëjnë shembull për bashkëjetesë të qetë reciproke. Këto karakteristika të veçanta njëkohësisht kanë rëndësi të madhe në rrugën për integrim të shpejtë me vendet evropiane. Dëshiroj që ky integrim të jetë pozitiv për të gjithë Ballkanin Perëndimor”,- tha kreu i Kishës Katolike të Romës, Papa Françesku.
 
Vizita historike ndodh në 25 vjetorin e vënies së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Fronin e Shenjtë. Në këtë drejtim presidenti i republikës në largim, Gjorge Ivanov, falënderoi Vatikanin për mbështetjen e vazhdueshme për integrimin euroatlantik dhe për integrimin e shtetit në përgjithësi.
 
Megjithatë, Ivanov edhe në vizitën e Papës, ngjarje me interes botëror, nuk përdori emrin e ri të vendit, madje thumboi pushtetin dhe bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa situatën në vend e cilësoi të pasigurt.
 
“Dëshira për të folur për të kaluarën e lavdishme është e madhe, por besoj se është shumë më me rëndësi që të flas për të tashmen e pasigurt, sado që të jetë e vështirë, është e vërtetë se ju vini në kohë kur shoqëria maqedonase është e ndarë thellë ndërsa shteti maqedonas është i lënduar rëndë për shkak të premtimeve të shkelura, pritjeve të tradhtuara dhe besimit të luhatur në bashkësinë ndërkombëtare. Bllokimet me dekada të rrugës tonë europiane sollën deri te kriza politike dhe morale që ulën imunitetin tonë shpirtëror dhe rrënuan vlerat e vërteta dhe të përhershme. Kryqi dhe gjysmëhëna, kisha dhe xhamia keqpërdoren si gurë kufitar dhe fortesa për të shënuar dhe mbrojtur ca territore të imagjinuara, sikur harrohet se të gjithë ne jemi njerëz pavarësisht besimit tonë”,- tha presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov.
 
Në vizitën e tij të parë në qytetin e Nënës Terezë, Papa Fraçesku shprehu mirënjohje të veçantë për Gonxhe Bojaxhiun dhe vlerat që paraqet kjo figurë në nivel global.  
 
“Gjithashtu do të kisha dashur që në mënyrë të veçantë të nderoj bashkëqytetaren tuaj të shquar, e cila e nxitur nga dashuria për Zotin, nga mëshira për të afërtin, bëri ligjin më të lartë për ekzistencën e saj, duke nxitur admirim në gjithë botën, duke u vënë në shërbim të të braktisurve, të përjashtuarve dhe të varfërve, në një mënyrë të veçante dhe radikale. Gjithsesi se e kam fjalën për figurën e njohur në botë si Nënë Teraza e Kalkutës. Ajo ka lindur në një mëhallë në Shkup, në vitin 1910, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu dhe veprën e saj apostolike e ka zhvilluar në modesti. Duhet të jeni krenar për këtë grua të rëndësishme”,- tha kreu i Kishës Katolike të Romës, Papa Françesku.
 
Papa Françesku tha se Froni i Shenjtë ndjek me shumë kujdes hapat që vendi ka bërë për avancimin e dialogut mes organizatave shtetërore dhe fetare.
 
Ai inkurajoi vendin që të vazhdojë kultivimin e integrimit kulturor, të religjioneve dhe të popujve që jetojnë brenda saj.
 
SHPËTIM NUREDINI