Maqedoni
Rama dhe Zaev në Sarajevë: Nuk duhet të presim BE-në për Shengenin rajonal
08.05.2019 15:01
Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama....
Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama, në takimin vjetor të Këshillit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që po mbahet në Sarajevë, kërkuan formimin e një tregu të vetëm, që e cilësojnë të patjetërsueshëm nëse dëshirohet të punohet në mënyrë rajonale. Një nga sfidat më të mëdha, sipas tyre, është pasja e një oferte të përbashkët për pjesën tjetër të Evropës.
“Ndoshta të gjithë ne, presidentët dhe kryeministrat, kemi të njëjtat qëllime, që është rritja e konkurrencës së kompanive tona dhe përmirësimi i bashkëpunimit rajonal. Kemi prodhim të ndarë, e nëse bashkohemi atëherë do të jemi në gjendje të ofrojmë më shumë produkte në treg. Pjesa tjetër e Evropës do të na vlerësojë më shumë nëse kemi bashkëpunim më të mirë mes nesh”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
“Përpjekjet që po bëhen në këtë drejtim na kanë mësuar se është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, sepse është një realitet tjetër kur kupton se problemet më të mëdha janë në detaje, gjëra të vogla. Nuk mendoj se duhet të presim që të bëhemi pjesë e BE-së në mënyrë që të kemi modelin tonë Shengen në rajon. Nuk ka shumë kuptim për mua që të mbetemi aq larg sa i përket komunikimit, lëvizjes dhe lirisë në hapësirë. Duhet të kemi një treg dhe hapësirë më të madhe për mundësi të ndryshme”,- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Rama vlerëson se BE-ja po bëhet gjithnjë e më pak e parashikueshme, e kjo, sipas tij, bën që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë më të mirët në konkurrencë, pasi kanë taksa dhe kosto më të ulëta të punës. Ai porositi se investimi në çdo vend të Ballkanit është i mirë, por rajoni duhet të veprojë në mënyrë unike jo vetëm në ofertë, por edhe në thellimin e reformave.
VLORA LATIFI TOPOJANI
