Maqedoni
Bisedimet për fatin e PPS-së, Deskoska: Djalli fshihet te detajet
08.05.2019 15:20
Pushteti dhe opozita maqedonase nuk tejkaluan dallimin kryesor rreth projekt ligjit për Prokurorinë Publike....
Pushteti dhe opozita maqedonase nuk tejkaluan dallimin kryesor rreth projekt ligjit për Prokurorinë Publike, i cili duhet të sanksionojë statusin e PPS-së. Për pushtetin, linja e kuqe mbetet neni 105, i cili duhet të mundësojë vazhdimin e ndjekjes për vepra të kryera penale.
“Ajo që nuk mund të pranohet në asnjë rast nga Ministria e Drejtësisë është futja e dispozitave që në një farë mënyre do të nënkuptojnë amnisti të fshehur për persona të caktuar që kanë kryer vepra penale”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, pas takimit me përfaqësuesin e grupit punues të VMRO-DPMNE-së, Toni Menkovski.
“Djalli fshihet te detajet. Kur do të duhet ta formuloni juridikisht atë që është deklaruar publikisht e shihni nëse ka kurthe ose jo. Kërkesa kryesore e VMRO-DPMNE-së është që të ndërpritet çdo procedurë që është ngritur nga PPS pas 18 muaj. Pra, të mos shfrytëzohen përgjimet dhe as dëshmitë materiale që janë siguruar. Të zhbëhen të gjitha”,- deklaroi ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
Ndërkaq, përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Toni Menkovski, tha se partia që përfaqëson nuk lëviz nga parimi për drejtësi dhe sundimin e ligjit. Ligji thotë se PPS ka pasur mandat deri më 30 qershor të vitit 2017, theksoi Menkovski.
“Ne nuk mund të veprojmë jashtë ligjit. Dihet, PPS ka mandat deri më 30 qershor të vitit 2017. Ne jemi në dispozicion me gjithë kapacitetin tonë. Me rëndësi është pjesa e sundimit të ligjit dhe respektimi i parimeve demokratike dhe të drejtat themelore të njeriut”,- tha përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Toni Menkovski.
Përderisa pushteti dhe opozita dakordohen për ligjin e ri, PPS ka pauzuar veprimtarinë e saj në drejtim të ngritjes së kallëzimeve penale edhe pse ka përfunduar procedura të reja parahetimore dhe hetimore.
“Disa lëndë, është e saktë, se janë përmbyll në PPS, pritet miratimi i Ligjit. Realisht kanë përfunduar edhe pjesa më e madhe e hetimeve që janë më të thjeshta, ndërsa ato më të komplikuarat janë hetime dhe do të jenë edhe sikur të mos miratohet ligji i ri”,- tha prokurorja speciale, Katica Janeva.
Palët janë dakord që PPS të mbetet organ i veçantë në kuadër të Prokurorisë Publike. Janeva tha se beson në procesin dhe se do të rreshtohet ashtu siç do ta parasheh ligji i ri. Takimi i radhës i grupit punues, tani më në format të reduktuar, është caktuar për të premten.
SHPËTIM NUREDINI
