Maqedoni
VMRO–DPMNE: Anti-korrupsioni të hetojë funksionarët aktualë
08.05.2019 16:14
VMRO-DPMNE pret që anti-korrupsioni të kryejë detyrën e tij e të hetojë korrupsionin në nivelet e larta të qeverisë Zaev...

Nga opozita maqedonase kërkuan që anti-korrupsioni të hetojë qeveritarët aktualë të cilët kanë marrë grande në shuma milionëshe për firma të afërta me ta ose në projekte të të afërmve të tyre.
“Të përkujtojmë se Fondi për inovacione kishte ndarjen më kriminele të grandeve para saktësisht 10 muajve. 10 kompani të afërta me qeverinë fituan grande në shumë prej disa miliona eurosh, para të qytetarëve. Iu bëjmë thirrje anti-korrupsionerëve të shqyrtojnë se si janë ndarë grandet për kompaninë “Kast Invest”, ku një prej pronarëve është dhe zëvendëskryeministri, Koco Angjushev, që si grand mori mbi 160 mijë euro, shtypshkronja “GENIS” nga Prilepi - pronar i së cilës kompani është deputeti i LSDM-së, Hari Lokvenec, që mori 10 milion denarë grand. Si është e mundur që bija e Cvetanka Llaskovës - këshilltare e kryeministrit Zaev - të fitojë 360 mijë euro, para të qytetarëve, për IT kompaninë “Dekodeks”. Si është e mundur që kryetari i Këshillit organizativ komunal të LSDM-së në Kavadarc, Goran Todorov, të fitojë 296 mijë euro? Këshilltari i LSDM-së në Bogdanci gjithashtu ka marrë grand prej 1 milion denarë, si është e mundur që të fitojë grand gruaja e ministrit të dorëhequr, Asaf Ademit, me vlerë prej 65 mijë euro? Për këto raste prokuroria ka hapur hetime. Tani jemi dhe para anti-korrupsionit dhe presim që edhe nga ata t’i shqyrtojnë këto raste dhe të ndalohet korrupsioni”,- deklaroi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
GAZMEND REXHEPI
