Maqedoni

Hapja e negociatave, Osmani optimist për Raport progresin dhe qershorin. Ekspertët e huaj: datën e meritoni, fokusohuni te reformat

08.05.2019 16:31

20 ditë para zbardhjes së Raport progresit të Bashkimit Europian, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani...

20 ditë para zbardhjes së Raport progresit të Bashkimit Europian, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, thotë se në këtë periudhë e gjithë energjia shoqërore, institucionale dhe qeveritare duhet të shpenzohet në përmbushjen e të gjitha çështjeve të cilat kanë mbetur pa përfunduar, por që mund të mbarohen deri në zbardhjen e Raportit.
 
Osmani pret raport pozitiv dhe datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në qershor.
 
“Tani në këto ditë duhet të gjithë të harxhojmë atomin e fundit dhe ta koncentrojmë fokusin tonë në drejtim të procesit euroatlantik të vendit me të vetmin qëllim, që të gjitha partitë politike, të gjitha institucionet, por edhe shoqëria jonë do të jetë në frymën e transformimit evropian, BE-së”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
Edhe ekspertët rajonalë vlerësojnë se Maqedonia ka bërë gjithçka që i është kërkuar në drejtim të përmbushjes së kritereve për fillim të negociatave për anëtarësim, por përmendin se reformat duhen përmbushur deri në fund, e në këtë drejtim ka ende punë.
 
“Republika e Maqedonisë së Veriut po shndërrohet në një shembull i mirë për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Maqedonia e Veriut ka treguar një durim të pashoq në këtë rrugëtim i cili presim që të shpërblehet. Siç tha edhe kryeministri i  Shqipërisë, nëse do të ekzistonte çmimi për durim në anëtarësim, sigurisht se do t’i takonte vendit tuaj. Prandaj tani nëse ka ndonjë strategji ku duhet, vlerësohet avancimi dhe merita e vendeve të Ballkanit për anëtarësim, sigurisht se ajo i takon Maqedonisë së Veriut”,- tha Monika Begoviç nga Qendra për Studime Ndërkombëtare në Kroaci.
 
“Nuk mundet që të parashihet data, por mendoj se Mali i Zi është më i përgatituri për t’i përmbushur kriteret e BE-së dhe ka hapur më shumë kapituj. Maqedonia gjithashtu fuqishëm po lëviz rrugës europiane, por të kuptohemi se ka shumë angazhime. Kemi plot 35 kapituj të cilët duhet të hapen dhe të mbyllen në formë të normave juridike dhe të cilat duhet t’i mbyllni deri në dhjetor të vitit 2023. Vendi juaj tanimë bëhet pjesë e NATO-s, e cila është strukturë ushtarake por edhe politike, sepse aty keni edhe kërkesa politike”,- theksoi Dushan Janiq nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike nga Serbia.
 
Këto konkluza u nxorën në Konferencën Ndërkombëtare në temën “Ballkani Perëndimor, vlerat europiane dhe euroatlantike”, të organizuar nga Instituti për Studime Ndërkombëtare dhe Politike, në kuadër të Javës së Vlerave Europiane, që organizohet në prag të 9 majit, Ditës së Europës.     
 
FITIM KRYEZIU