Maqedoni

Ndryshimet në qeveri, Deskosvka: S’jam Todorovi që të shëtis dikasteret. Osmani: Funksionarët mund t’i ndërrosh, por jo t’i “fshish”

08.05.2019 17:16

Paralajmërimi i ndryshimeve në qeveri vazhdon të ngjallë reagime, sidomos pas interesimit të mediave se kush do të ndërrohet...

Funksionarët e LSDM-së të  përmendur nëpër media të caktuara si pjesë e ndryshimeve, po demantojnë informacionet që po plasohen në mungesë të emrave konkretë nga kreu i ekzekutivit.
 
Ministri i jashtëm, Dimitrov, në një status në Facebook thotë se lajmi për ndryshimin e tij është spekulim. Ministrja Deskovska, që u përfol se do të kthehej në Ministrinë e Arsimit si pjesë e këmbimit të resorëve mes LSDM-se dhe BDI-së, thotë se i vetmi vend ku mund të kthehej është Fakulteti i Drejtësisë e jo MASh-i.
 
“Në Ministrinë e Arsimit nuk do të kthehem, nuk jam unë Nikolla Todorov që t’i shëtis të gjitha dikasteret. Se a do ta braktisë apo jo Ministrinë e Drejtësisë nuk e di, por rruga ime është të shkoj përpara dhe jo të kthehem mbrapa. Vendi i vetëm ku mund të kthehem mbas politikës është Fakulteti i Drejtësisë, në Ministrinë e Arsimit nuk kthehem”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
 
Nga BDI riqartësojnë  se çdo vendim, qoftë politik apo kadrovik, merret vetëm pas arritjes së pajtueshmërisë mes partnerëve të koalicionit.
 
Por, për integristët, përdorimi i emrit “fshesë” nga ana e kryeministrit është ofendues për të gjithë partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës.
 
Osmani thotë se së shpejti do të dihet edhe se kush do të drejtojë me Ministrinë e re për sistem politik dhe raportet me komunitetet.
 
“Mendoj se termi “fshesë” është i papërshtatshëm, për shkak se bashkëpunëtorët tanë, qoftë në qeveri apo në parti politike, mund të jenë pjesë e ndryshimeve të pozitave, por ata nuk janë lëndë e fshesës dhe mendoj se kjo është ofenduese për bashkëpunëtorët e partive politike. Ky debat nuk është i hapur as në parti as me partnerët e koalicionit, deri më tani kemi pritur të përfundojnë zgjedhjet. Besoj se në ditët në vijim do të takohen edhe kryetarët e partive kryesorë që përbëjnë qeverinë”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Nga Alternativa, pas dorëheqjes së ministrit të kulturës, Asaf Ademit, kanë konfirmuar se do të vazhdojnë të drejtojnë dikasterin e kulturës. 
 
Nuk ka komente ndërkohë nga PDSh, që drejton me ministrin pa resor për investime të huaja, e as nga RDK, e cila drejton Ministrinë e Pushtetit Lokal.
 
GAZMEND KURTISHI