Maqedoni
Rasti “Maxhar Telekom”, Davikovski: Nuk na konsultonin, na mbivotonin
08.05.2019 17:34
Ish kryetari i bordit të drejtorëve të Telekomit, Borçe Davidkovski, në dëshminë për rastin “Maxhar Telekom”....

Ish kryetari i bordit të drejtorëve të Telekomit, Borçe Davidkovski, në dëshminë për rastin “Maxhar Telekom”, tha se 4 përfaqësuesit e Qeverisë në bordin drejtues, mbivotoheshin nga 6 partnerët e huaj edhe në miratimet e planeve të biznesit, edhe për çmimet, edhe në shërbimet e konsulentëve për të cilat kompania ndante 5 deri më 7 milion euro në vit. Tha se ka kërkuar gjithnjë që të angazhoheshin kompani vendore, por kjo është hedhur poshtë dhe paguheshin ekspertë nga Hungaria dhe pse Telekom posedonte shoqëri të vetë avokatëve.
“Ne nuk kishim as qasje dhe nuk merrnim pjesë në procedurë për angazhimin e konsultantëve për këto shuma të hollash. Parashtronim pyetje dhe na përgjigjeshin se në pajtueshmëri me marrëveshjen për shitblerje dhe statusit, kjo është kompetencë e drejtorit gjeneral dhe ai lidh dhe realizon ato kontrata”,- deklaroi dëshmitari në rastin “Maxhar Telekom”, Borçe Davidkovski.
Sipas tij, as për lartësinë e dividentës nuk konsultohej bordi i drejtorëve, por përmes një këshilltari që funksiononte nga Stoun Brixh kontaktoheshin përfaqësuesit e Qeverisë. Sipas tij, profiti për palën maqedonase ishte tejet i ulët.
“Për vitin e parë fillimisht ofruan 1 milion euro dividendë dhe pas negociatave 16 milion euro ishte për pjesën maqedonase. Unë mendoja se është shumë e vogël, sepse atëherë profiti ishte 180 milion euro dhe mendoj se ata arsyetoheshin se duhet të investojnë, por pjesa jonë ishte 16 milion. Paramendoni se sa ishte pjesa e tyre e profitit”,- tha dëshmitari i “Maxhar Telekom”, Borçe Davidkovski.
Në rastin “Maxhar Telekom”, hungarezi, Atila Sendrej, dhe anëtarët e Këshillit të drejtorëve, Rolf Plat, dhe Zoran Kishjakus, akuzohen për lidhje të marrëveshjeve fiktive me shtëpinë konsultuese “Kapteks Holding limited”, duke dëmtuar buxhetin e shtetit për 2 milion euro.
FLUTURA LATIFI
