Maqedoni

KShZ pranoi ankesat nga Siljanovska dhe VMRO. 11 ankesa për presidencialet, një për lokalet

08.05.2019 18:00

Afati për parashtrimin e ankesave për zgjedhjet e së dielës ka skaduar mbrëmë

Afati për parashtrimin e ankesave për zgjedhjet e së dielës ka skaduar mbrëmë, ndërsa afati për parashtrim të ankesave për numërimin e rezultateve skadon sonte.

KShZ ka pranuar 11 ankesa nga kandidatja për presidente, Gordana Siljanovska, kurse VMRO-DPMNE është ankuar për zgjedhjet lokale në Novo Sellë.

Opozita  akuzon se janë mbushur kutitë, janë blerë votat si dhe janë keqpërdorur resurset shtetërore.

“Këtë e tregoi rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, kuti të mbushura, votim për persona të tjerë, agjitim i palejuar, mitdhënie në ditën e zgjedhjeve dhe keqpërdorim i resurseve shtetërore. Presim që ankesat të konstatohen, ndërsa Prokuroria Publike të angazhohet dhe të marrë masa në pajtim me kompetencat për ngjarje të rëndësishme, siç janë zgjedhjet. Këtu do të doja të kujtoja se edhe OSBE/ODIHR në raportin preliminar ka gjetur parregullsi, keqpërdorim të resurseve shtetërore si dhe blerje votash”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Nga KShZ thonë se rivotim do të ketë vetëm nëse numri i votave në vendvotim mund të ndryshojë fituesin e zgjedhjeve presidenciale. Për ankesat e rrethit të dytë vendoset brenda kësaj jave.