Arratisja e Gruevskit, Ruskovska: Interpoli nuk shpall fletëarrest ndërkombëtar
Ish-kryeministri, Nikoll Gruevski, po kërkohet me fletëarrest vendor, mirëpo jo edhe me fletëarrest ndërkombëtar...

Fletëarrest ndërkombëtar nuk është shpallur as për Nikolla Boshkovskin, për të cilin po ashtu është dorëzuar kërkesë me dokumentacion të plotë.
Shefja e Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar, Villma Ruskoska, pohon se janë marrë disa dokumente nga Republika e Shqipërisë për ikjen e Gruevskit, por tha se ende nuk i ka lexuar.
Mes dokumenteve të pranuara nuk ka filmime nga kamerat e vëzhgimit në kufi, sepse xhirimet janë fshirë, pasi nuk janë kërkuar në kohë dhe Shqipëria nuk i ruan gjatë të njëjtat. Edhe Ruskovska pohon se xhirime nuk ka.
“Sa i përket ekstradimit të Gruevskit, për lëndën që e udhëheq, për ngjarjet e “27 prillit”, kam kërkuar nga MPB që të lëshohet fletëarrest ndërkombëtar, por informatat e fundit thonë se nuk mund ta publikojnë fletëarrestin ndërkombëtar”,- tha Ruskovska.
“Interpol refuzon të shpallë fletëarrest për Nikolla Gruevskin. Nga ana jonë është dorëzuar dokumentacion i plotë, gjithashtu edhe kërkesa, mirëpo fletëarresti nuk është shpallur, Interpol po refuzon që të shpallë, dhe pse kërkesa është bërë që para dy muajve”.
Sipas saj, Interpoli refuzon publikimin e fletëarrestit edhe pse është respektuar e njëjta procedurë kërkese si në 5 rastet paraprake për të akuzuarit për të njëjtën vepër.
