Liberalizimi i vizave për Kosovën, Thaçi: Çdo vendim kundër është diskriminues

09.05.2019 15:34

Nga Tirana, ku po zhvillohet Samiti i “Brdo Brijonit”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi....

Nga Tirana, ku po zhvillohet Samiti i “Brdo Brijonit”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se çdo vendim kundër liberalizimit të vizave me Kosovën është një vendim diskriminues. Sipas presidentit Thaçi, Kosova ka implementuar të gjitha kriteret e kërkuara.

“Nëse vazhdon mosnxjerrja e këtij vendimi nga vendet e BE-së, me të vërtetë është një diskriminim, ndëshkim dhe padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

THAÇI: NUK HEQIM DORË NGA BASHKËNGJITJA E LUGINËS

Ai më tej foli për marrëdhëniet me Serbinë, si edhe për pretendimet për ndryshime të kufijve, mbrojti tarifën 100% ndaj Beogradit, si edhe theksoi se do të punohet që Medvegja, Presheva dhe Bujanoci t’i bashkohen territorit aktual të Kosovës.

“Për sa i përket dialogut Kosovë - Serbi, tarifa ka qenë një vendim i drejtë dhe legjitim. Duhet të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar, me mundësi për arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të plotë ligjërisht obligues, që nuk krijon vija etnike të kufijve, që vendet tona mbesin multietnike, që e përfshin Medvegjën, Preshevën dhe Bujanoci me territorin e Republikës së Kosovës”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

THAÇI ANULOI DREKËN ME METËN, VUÇIÇIN DHE DODIKUN

Por, a i afroi Samiti i “Bërdo Brionit” liderët e Kosovës dhe Serbisë? Jo, dhe kjo u pa edhe gjatë drekës së përbashkët të liderëve në të cilën presidenti i Kosovës refuzoi të marrë pjesë. Për presidentin shqiptar, Ilir Meta, prezenca e Dodikut në Tiranë është ditur që më herët.

“Mund t’u siguroj se atmosfera ka qenë shumë pozitive dhe konstruktive këtu. Të gjithë do të donim që dialogu Kosovë – Serbi të kishte përfunduar dje. Jo sot dhe as nesër. Sa i përket prezencës së zotit Dodik, besoj se e dini se Samiti i “Brdo Brijonit” është një samit që ka një format të përcaktuar”,- tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

SAMITI “BERDO-BRIJONI”, SHTRËNGIM I IMPONUAR DUARSH THAÇI-VUÇIÇ

Në Samitin e “Brdo Brijonit” nuk mungoi një shtrëngim duarsh mes presidentit kosovar, Hashim Thaçit, dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, ky shtrëngim duarsh dukej i ftohtë dhe i imponuar nga përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme në Komisionin Europian, Federica Mogherini, ndërsa erdhi një ditë pas deklaratës së presidentit serb se nuk do të njohë kurrë Kosovën edhe po ta vrisnin. (Gyltene Sinani, TVM2)