Maqedoni
Raufi hedh poshtë pretendimet e Janevës, Raufi: Presim që Apeli të kthejë rastin në rigjykim
09.05.2019 17:02
Avokati mbrojtës në rastin “Lagja e Trimave”, Naser Raufi, hedh poshtë pretendimet e prokurores speciale, Katica Janeva..

Avokati mbrojtës në rastin “Lagja e Trimave”, Naser Raufi, hedh poshtë pretendimet e prokurores speciale, Katica Janeva, se për momentin për këtë rast disponon vetëm indicie dhe jo telefonata nga përgjimet e paligjshme të cilat janë kusht që kjo Prokurori të vendos juridiksionin mbi një rast të caktuar. Sipas Rausfit, përgjime të paligjshme për këtë rast ekzistojnë.
“Nuk mban konstatimi i prokurores speciale që nuk ka kompetencë për këtë rast, pasi nuk posedon telefonata të tilla, por që ka vetëm indicione. Ka prova, mund të them, të ashtuquajtura si “bomba”, që janë të kapura jashtë ligjit dhe mendoj që kjo është një ikje nga procesi, nga kompetenca, me siguri për shkak të situatës, pasi as vetë nuk e dinë nëse do të mbeten si prokurori e veçantë apo do të jenë në kuadër të Prokurorisë Publike të Republikës”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Pavarësisht nëse Specialja do të merret me këtë rast, lënda gjendet në fazën e apelimit, ndërsa Gjykata ka caktuar seancë publike më 16-17 maj.
Avokati Raufi pret që Gjykata e Apelit të marrë në konsideratë apelimin e palës mbrojtëse dhe të rikthejë në rigjykim rastin, pasi, siç thotë, gjykata ka refuzuar rreth 200 prova të palës mbrojtëse, ndërkaq ka pranuar të gjitha provat e Prokurorisë.
“U soll një aktgjykim jashtë ligjit, duke i pranuar të gjitha provat që i propozoi prokuroria dhe asnjë provë të palës mbrojtëse. Ky do të jetë momenti krucial që të rikthehet kjo lëndë, që të mund edhe provat e palës mbrojtëse të zhvillohen në seancën e gradës së parë dhe ne si palë mbrojtëse presim rikthim të kësaj lënde”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Rasti pretendohet të jetë i montuar politikisht, prandaj Raufi konsideron se gjatë rigjykimit të mundshëm duhet të përfshihen edhe gjykatës ndërkombëtarë, aq më shumë që në mesin e të dënuarve ka edhe shtetas të huaj. “Një gjë të tillë e mundëson Ligji për ndihmë ndërkombëtare”, - thekson Raufi.
Ndryshe, Gjykata Themelore – Shkupi 1, për 37 të akuzuarit për terrorizëm dhe organizim terrorist në rastin “Lagja e Trimave” caktoi dënim prej 746 vjet burg. Nga akuzat u liruan vetëm katër të akuzuar.
SHPËTIM NUREDINI
