Maqedoni

Protestë në 4 vjetorin e rastit të Kumanovës, “Ndal gjykimeve me standardet e dyfishta”

09.05.2019 17:21

Në 4 vjetorin e ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku jetën e humbën tetë pjesëtarë të Forcave Speciale...

Në 4 vjetorin e ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku jetën e humbën tetë pjesëtarë të Forcave Speciale, dyzetë mbetën të plagosur dhe u vranë edhe 10 pjesëtarë të “Grupit të armatosur”, familjarët e të dënuarve në një protestë në Shkup kërkuan gjykim ndërkombëtar, lirimin e të burgosurve dhe thanë se është koha të ndalen gjykimet me standarde të dyfishta.
 
Protesta u mbajtën edhe në Kosovë.
 
“Kjo ishte një nga rastet më të shëmtuara, më të rënda dhe më të trishtuara politike. Se është rast i montuar politik e dimë ne, e dinë fëmijët e vegjël dhe me siguri e dinë Prokuroria dhe Gjykata. Janë krenaria jonë, janë elita e UÇK-së, liri për çlirimtarët, stop rasteve të montuara politike”,- deklaroi familjarja e të dënuarve, Maide Jashari.
 
Nga Shoqata e të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë që mbështeti protestën, kërkuan drejtësi për të gjitha rastet e dënimeve ndaj shqiptarëve. 
 
“Kërkojmë në sistemin e drejtësisë të largohen gjykatësit antishqiptarë të korruptuar dhe joprofesionalë”,- tha Shpëtim Pollozhani nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë.
 
37 persona u akuzuan, vetëm 4 u liruan, për të tjerët gjykata caktoi 746 vjet burg. Dënimi më i ulët është 12 vite burg deri në burgim të përjetshëm.
 
Lënda gjendet në fazën e ankimimit dhe Gjykata e Apelit ka caktuar seancë publike më 16 maj. 
 
REJHANE BUSHI METAJ