Maqedoni

Procesi i “Bërdo Brionit”: BE të mbajë hapur dyert për Ballkanin

09.05.2019 18:00

Udhëheqësit e procesit të “Brdo Brionit”, në një deklaratë të përbashkët pas takimit të mbajtur në Tiranë...

Udhëheqësit e procesit të “Brdo Brionit”, në një deklaratë të përbashkët pas takimit të mbajtur në Tiranë, njohën dhe pranuan se përparimi i shënuar deri më tani ka kontribuar në konsolidimin e demokracisë, paqes, sigurisë, stabilitetit, si dhe në rritjen e bashkëpunimit rajonal.
 
Në deklaratën përfundimtare përmendet Marrëveshja e Prespës, si shembull i tillë i hap rrugën forcimit të lidhjeve evropiane dhe euroatlantike me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
 
Presidenti polak, Andrzej Duda, përçoi mesazhin se BE duhet të mbajë dyert e hapura për vendet e rajonit. 
 
“Kjo politikë duhet të jetë gjithmonë politika e dyerve të hapura. Pas zgjedhjeve evropiane, procesi i zgjerimit nuk do të jetë në nivelin e lartë të ditës të Komisionit Evropian. Varet nga ne t’i marrim ato çështje të hapura, t’i zgjidhim ato që ky rajon të jetë më tërheqës për BE-në sesa është për momentin”,- tha presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.
 
Por, nga vendet e rajonit kërkohet zbatimi i reformave dhe zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura me fqinjët.
 
“Negociatat do të vijojnë me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, gjithashtu dëshirojmë ta shikojmë Bosnjë - Hercegovinën si vend kandidat. Ne mbështesim një proces të bazuar mbi merita. Unë jam e frikësuar mbi situatën aktuale, jemi duke krijuar një vakum të rrezikshëm për Europën Juglindore. Ky vakum duhet të plotësohet dhe duhet të mbushet me influencat e atyre palëve që janë shqetësuese për rajonin. Reformat nuk janë diçka që Brukseli jua kërkon juve, por janë diçka që duhet bërë”,- tha presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.
 
Nga ky samit iu bë thirrje BE-së të konsiderojë zgjerimin në Ballkanin Perëndimor si një çështje me rëndësi gjeopolitike. 
 
“Integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin evropian të vlerave është një faktor i rëndësishëm edhe për vetë stabilitetin e përgjithshëm evropian. Kjo nuk përjashton detyrimin e vendeve kandidate për të zbatuar standardet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj vendeve që kërkojnë anëtarësim të plotë në të. Ne besojmë se është reciprokisht e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që standardet të respektohen dhe procesi i negociatave të bëhet më fleksibël si dhe më i shpejtë”, thuhet në deklaratë.
 
Sllovenia do të jetë mikpritësja e ardhshme e takimit të jashtëzakonshëm të udhëheqësve të Procesit “Brdo Brijoni” në fund të këtij viti.
 
GAZMEND KURTISHI