Maqedoni
Nga 2020, kartëmonedha të reja. Për dygjuhësinë në bankënota, konsultime shtesë
09.05.2019 18:49
Kartëmonedhat e para me emrin e ri kushtetues do të lëshohen në qarkullim në fillim të vitit të ardhshëm...

Fillimisht do të lëshohen bankënotat nga 500 denarë, më pas edhe ato 10 denarëshe, i gjithë ndërrimi i monedhave pritet të bëhet brenda 5 vjetësh.
Por, bankënotat e reja nuk do të shtypen edhe në shqip. Angellovska-Bezhoska thotë se për këtë duhen konsultime shtesë.
“Sa i përket simboleve dhe tani paratë që janë në qarkullim, përmbajnë simbole nga kultura shqiptare, ne kemi bërë konsultime me institucionet përkatëse. Sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe, kartëmonedhat që do të lëshohen në qarkullim nuk do të përmbajnë gjuhën shqipe. Ne presim që të bëhen konsultime shtesë dhe natyrisht do të veprojmë brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese”,- tha guvernatorja e BPMV-së, Anita Angellovska – Bezhoska.
Përveç informacionit për monedhat e reja, Banka Popullore prezantoi edhe projektet makroekonomike. Për vitin 2019, Banka Popullore parashikon një rritje të qëndrueshme ekonomike për 3.5% të BPV-së. Për vitin e ardhshëm është parashikuar rritje për 3,8%, kurse në vitin 2021 deri në 4%.
SEDAT SELIMI
