Botë

Rusia shpalos armatimin në Sheshin e Kuq, Putin: Taktikat luftënxitëse janë ende gjallë

09.05.2019 19:15

Parada ushtarake e Sheshit të Kuq në Moskë shënoi përvjetorin e triumfit ndaj Gjermanisë naziste dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore...

Pasi përshëndeti krerët e ushtrisë dhe veteranët, brezi i të cilëve zmbrapsi nazistët nga fronti lindor deri në Berlin, Presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se taktikat luftënxitëse të asaj periudhe janë ende gjallë.

“Ne shohin sot si disa vende që me vetëdije nxisin luftë, se si krijojnë idhuj për ata që i shërbyen nacionalsocialistëve. Ata mashtrojnë fëmijët në mënyrë të paturpshme, duke tradhtuar nënat dhe baballarët e tyre. Detyra jonë e shenjtë është të mbrojmë heronjtë e vërtetë”,- tha Putin.

Mbi 13 mijë ushtarë dhe qindra automjete, u angazhuan në këtë paradë ku ndër të tjera u ekspozua gjenerata e fundit e armatimit rus.

Ekspertët thonë se Rusia është në një fazë militarizimi të gjithanshëm për shkak edhe të tensioneve me NATO-n, kryesisht për çështjen e Ukrainës.

Ushtarakët kanë hapur kurse trajnimi edhe për të fëmijë e adoleshentë nga 8 deri 18 vjeç, të cilët kritikët i krahasojnë me “të rinjtë hitlerianë”.