Botë

Venezuelë, pjesëtarë të opozitës strehohen në ambasada

10.05.2019 12:20

Tre pjesëtarë të opozitës në parlamentin e Venezuelës kanë kërkuar strehim në ambasadat e huaja...

Tre pjesëtarë të opozitës në parlamentin e Venezuelës kanë kërkuar strehim në ambasadat e huaja, pasi kanë humbur imunitetin e tyre në kongres.

Ata kanë qenë në mesin e 10 ligjvënësve, të cilëve u është hequr imuniteti, pasi Gjykata Supreme ka thënë se ata duhet të hetohen për konspiracion, rebelim dhe tradhti.

Opozita e udhëhequr nga Juan Guaido ka tentuar të nisë rebelim ushtarak kundër presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro, javën e kaluar.

Ai e ka shpallur veten president të përkohshëm në muajin janar, duke konsideruar se mandati i ri i Maduros është i jashtëligjshëm.

Legjitimiteti i tij është njohur nga 50 kombe, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe pjesën më të madhe të vendeve të Amerikës Latine, derisa Maduro vazhdon të ketë mbështetjen e Kinës dhe Rusisë.

Ministria e Jashtme e Italisë ka njoftuar se në ambasadën e këtij shteti është strehuar njëri nga deputetët derisa tjetri gjendet në ambasadën e Spanjës.

Situata në Venezuelë është përshkallëzuar prej kur Guaido e ka shpallur veten president të përkohshëm dhe ka mbajtur një varg protestash në rrugë.