Manipulime në punësim, Antikorrupsioni zbardh manipulime nepotizmi në DAP

10.05.2019 15:56

Komisioni Antikorrupsion ka konstatuar manipulime në Drejtorinë e të Hyrave Publike...

Komisioni Antikorrupsion ka konstatuar manipulime në Drejtorinë e të Hyrave Publike për punësime të përkohshme të personave nëpërmjet agjencive të cilat paraprakisht nuk kanë shpallur tender.
 
Konstatimi është bërë gjatë hetimit të ankesave për punësimin e Katerina Kotevskës - bashkëshortes së drejtorit të burgut të Shutkës, Gjoko Kotevski, dhe motrës së deputetes Tanja Kovaçeva, Katerina Jakovlevska. Hetimi dëshmon se personat nuk kanë as arsimim dhe përvojë adekuate.
 
“Nuk kemi bërë krahasim sipas listave zgjedhore, megjithatë lënë hapësirë për dyshim dhe fundja këtu është luajtur me vetë Ligjin për agjenci dhe punësime të përkohshme, i cili thotë se në cilat raste do të duhet të angazhohen persona. D.m.th. nuk mund të angazhosh persona për inspektorë të lartë, për ekspertë të IT-së dhe këtu nuk e di se sa ata kanë përvojë”,- tha kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska.

ANTIKORRUPSIONI MBYLL LËNDËT PËR ISH FUNKSIONARËT

Për shkak të skadimit të afatit të lëndëve, Komisioni Antikorrupsion mbylli lëndët për nepotizëm te një pjesë e ish funksionarëve.
 
Katër prej tyre kishin të bëjnë me ish kryetarin e Llozovës, Orçe Cvetkovski, i cili në vitin 2009 dhe 2013 ka ndikuar në punësimin e nipërve, kushërinjve në ndërmarrje publike dhe  institucione. Komisioni vendosi të kërkojë përgjigje nga prokuroritë për 160 iniciativat e ngritura për kallëzime penale që nga viti 2013.
 
“Nga të gjitha procedurat që deri më tani nuk kemi informacion nga prokuroritë themelore për ndjekje të krimit të organizuar, të dorëzojmë kërkesë që të na jepen informacione se në çfarë gjendje janë lëndët”,- tha anëtarja e Komisionit Antikorrupsion, Sofka Pejovska.
 
Antikorrupsioni gjithashtu mbylli disa lëndë nepotizmi që kanë të bëjnë me deputetin, Antonio Milloshovski, sekretarin e përgjithshëm të VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, ish sekretarin e përgjithshëm të qeverisë, Kirill Bozhinovski, ish kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Elena Gosheva, dhe funksionarë të tjerë të pushtetit të kaluar.
 
MERAL ISMAILI