Maqedoni

Ndryshimet në Qeveri, Shilegov: Pas inaugurimit të presidentit. Bekteshi: Vendos lideri i BDI-së. Ndryshimet në Qeveri, Ademi: Jemi të fokusuar në punë

10.05.2019 16:34

Ndryshimet eventuale në kabinetin qeverisës mund të ndodhin pas inaugurimit të presidentit të ri të shtetit, thotë nënkryetari i LSDM-së, Petre Shilegov...

Ai tha se vendimet do të merren mbi bazën analizave që  do të bëhen.
 
“Do të ulemi për diskutim në periudhën që vjen. të kalojë inaugurimi dhe formalisht të përfundojnë zgjedhjet, do të bëjmë të gjitha analizat dhe më pastaj do të sillen të gjitha vendimet politike”,- deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Petre Shilegov.
 
Lidhur me këtë, ministrat Bekteshi dhe Ademi - kuadër i BDI-së, thonë se janë të fokusuar në punë, ndërsa për ndryshimet do të vendos lideri i tyre. 
 
“Sa i përket pozicionit tim, për atë do të vendos BDI dhe lideri, Ali Ahmeti. Këtu dua të theksoj faktin se sipas thirrjes së kryeministrit, Zoran Zaev, me siguri që ai duhet t’i bisedojë të gjitha gjërat në mënyrë të hapur me liderin tonë, të tregojë se ku ka mund të ketë pengesa në mosrealizimin e disa projekteve, në cilët sektorë ka mangësi dhe në atë mënyrë të vendoset për rikonstruim eventual kuadër të qeverisë së RMV-së”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
“Ne jemi të fokusuar në punën që e bëjmë, maksimalisht jemi të fokusuar në resorin dhe obligimet që rrjedhin nga puna në ministri dhe vazhdojmë me dinamikën e paraparë”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.                                          
 
Kryeministri, Zoran Zaev, midis dy raundeve zgjedhore paralajmëroi ndryshime në më shumë pozicione udhëheqëse, përfshi edhe kabinetin qeverisës. Por, ndryshimet, sipas të gjitha gjasave do të ndodhin, pasi kryeministri të jetë kthyer nga pushimi disaditorë, siç tha nga kabineti i tij, për nevoja familjare, e që do të zgjasë deri më 14 maj.  
 
NAIM RAMADANI