Maqedoni
Fruthi, brenda një jave 110 raste të reja
10.05.2019 16:49
Epidemia e fruthit nuk ka të ndalur. Brenda një jave janë infektuar 110 fëmijë, ndërsa gjysma prej tyre janë hospitalizuar...

43 raste të reja me fruth janë regjistruar në Shkup, ndërsa 67 raste të reja në 11 qytete të tjera në tërë territorin e vendit.
Fëmijët e moshës parashkollore janë më të prekur, pasi te ata është edhe numri më i madh i fëmijëve të pavaksinuar.
“Mbeten edhe 12 mijë e 400 fëmijë parashkollor të pavaksinuar ku dhe është problemi më i madh, sepse këta fëmijë mund të përhapin epideminë dhe sëmundjen edhe tek personat më të moshuar, si te prindërit dhe të tjerët përreth. Fëmijët nëpër shkolla në Shkup nuk janë dhe aq problem, kemi 3800 në tërë territorin, ku po të merret parasysh numri i popullatës, është një përqindje e vogël”,- tha epidemiologu, Vlladimir Mikic.
Ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi, ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë për disa ditë do të dalin me qëndrim lidhur me shkollat fillore për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë, duke u nisur nga ajo që me shpalljen e epidemisë së fruthit nuk do të regjistrohen fëmijët e pavaksinuar.
Nga fillimi i epidemisë së fruthit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar rreth 1400 persona të infektuar, 4 prej të cilëve kanë ndërruar jetë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
