Botë
Opozita proteston në Tiranë, policia gati me gaz e forca speciale
11.05.2019 18:27
Opozita e Shqipërisë proteston përballë godinës së kryeministrisë e cila tashmë është “fortifikuar"....

Opozita e Shqipërisë proteston përballë godinës së kryeministrisë e cila tashmë është “fortifikuar” në brendësi dhe përreth saj me gardhe metalike e mijëra forca policie.
Të paktën 1500 efektivë të policisë jenë përballë protestuesve të thirrur nga opozita, të paisur me maska si dhe me gaz tymues. Forcat speciale janë të pranishme, duke nisur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë e deri tek RENEA.
Nuk ka munguar edhe reagimi i ambasadës së SHBA-ve e cila i bëri thirrje mbështetësve të opozitës që të refuzojë dhunën për të siguruar një protestë paqësore dhe konstruktive. Në deklaratën e saj ambasada amerikane thekson se “përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht. Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës komprometohet. Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Opozita me anë të protestave po kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të përgatisë zgjedhje të parakohshme, ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të lejojë organizimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Nga ana e saj shumica ka përsëritur se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve vendore dhe se ato do mbahen në datën e caktuar. Në kuadër të kësaj, Partia Socialiste është në përfundim të përzgjedhjes së kandidatëve të saj për të gjitha bashkësitë dhe komunat e Shqipërisë.
