Botë

Tiranë, bomba, fishekzjarre dhe gaz, pamje ”lufte” te Kuvendi. Turma largohet nga të gjitha anët

11.05.2019 21:40

Është ndezur sërish situata në protestën e opozitës, që tashmë është zhvendosur përpara Kuvendit....

Në këto momente janë hedhur bomba molotov dhe janë ndezur fishekzjarre, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës.
 
Si pasojë e gazit që është hedhur, turma është shpërndarë me shpejtësi. Duke qenë se zona është e ngushtë, pasojat e gazit janë shumë të mëdha dhe qytetarët janë larguar nga të gjitha anët.
 
Protesta përpara Kryeministrisë zgjati për rreth dy orë, ku nuk munguan as aktet e dhunshme, ndërsa drejt zyrës së Ramës u hodhën bomba molotov dhe shishe me benzinë.
 
Derimë tani raportohet për dy punonjës policie dhe dy qytetarë që kanë mbetur të lënduar si pasojë e përplasjes.
 
Fillimisht u tha se qytetarët nuk do të ndryshonin vendndodhje gjatë ditës së sotme, po ka pasur një ndryshim skenari në minutat e fundit, dhe është bërë zhvendosja drejt Kuvendit.
 
Kjo është protesta e katërt kombëtare e cila zhvillohet përpara kryeministrisë nga opozita e bashkuar, që prej vendimit për të djegur mandatet e deputetëve të PD-së dhe të LSI-së.
 
Kërkesat e partive opozitare janë të qarta, dhe lidhen me mbajtjen e zgjedhjeve pa Edi Ramën kryeministër, dhe krijimin e një qeverie tranzitore, e cila do të mundësojë mbarëvajtjen e tyre.
 
Me kalimin e javëve vendosen në pikëpyetje dhe zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, që sipas opozitës nuk do të mbahen, ndërsa qeveria Rama dhe PS janë angazhuar me zgjedhjen e kandidatëve në mbledhjen e sotme të Asamblesë.