Maqedoni

Vila “Vodno”, ceremonia e pranim-dorëzimit të funksionit president

12.05.2019 12:12

Në Kabinetin e Presidentit “Vila Vodno” sot, në orën 13:45, do të mbahet ceremonia.....

Në Kabinetin e Presidentit “Vila Vodno” sot, në orën 13:45, do të mbahet ceremonia zyrtare e pranim-dorëzimit të funksionit Shef i shtetit me nderimet më të larta ushtarake dhe shtetërore.
 
Pas ceremonisë solemne, është paraparë që presidenti Gjorge Ivanov dhe presidenti Stevo Pendarovski të mbajnë takim tet-a-tet, pas çka do të pasojë edhe takimi i përbashkët i dy presidentëve me të punësuarit në Kabinetin e Presidentit.
 
Pendarovski do të ketë edhe takime bilaterale me presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta si dhe me  presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
Është paraparë të realizojë takime bilaterale edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Sërxhan Darmanoviq, me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Faruk Kajmakçi, si dhe me nënsekretarin shtetëror në MPJ të Republikës së Polonisë, Pjitër Vavzhik. Ndërkohë  Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ia dorëzoi certifikatën Stevo Pendarovskit me të cilën edhe zyrtarisht vërtetoi se është zgjedhur  Kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
 
Kryetari i sapozgjedhur Pendarovski tha se me këto zgjedhje, vendi ka treguar se mund të sillet në mënyrë evropiane ndërsa institucionet të punojnë me profesionalizëm. Ai premtoi se ndër detyrat e tij të para do të jetë dekretimi i ligjeve të pa nënshkruara nga paraardhësi tij.