GRUEVSKI-ZAEV

Gruevski dhe Zaev u përballën në Gjyq

02.09.2014 14:40

Kryeministri, Nikolla Gruevski, është përballur në Gjyq me liderin e opozitës, Zoran Zaev, lidhur me akuzat e liderit socialdemokrat ndaj Gruevskit, për ryshfet dhe fshehje tatimesh në rastin e shitjes së “Makedonska Bankës”...

Me këtë rast, Zaev i ka parashtruar një sërë pyetjesh Gruevskit, i cili edhe ka ngritur padi për rastin, ndërsa shumica e pyetjeve kishin të bënin me ardhjen e tij në krye të VMRO-DPMNE-së, si dhe nëse Den Donçev ishte sekretar i përgjithshëm i partisë nga muaji maj deri në shtatorë të vitit 2004, por pas reagimit të avokatit të Gruevskit, gjykatësi nuk lejoi që Gruevski të përgjigjet në këtë pyetje, megjithëse paraprakisht Gruevski tha se Donçev ishte sekretar i partisë kur ai erdhi në postin e kryetarit. Njëherit, Zaev bëri të ditur se audio-incizimet që ai i publikoi për të dëshmuar përfshirjen e Gruevskit në shitjen e “Makedonska Bankës”, i ka marrë pikërisht nga ish-sekretari i VMRO-DPMNE-së, Den Donçev. 
 
“Dua të them se blof i lirë është ulja e dëmshpërblimit nga 500 mijë euro në 50 mijë euro, absolutisht është irelevant dhe i pa rëndësishëm për tërë këtë proces. Në tërë këtë proces duhet të konfirmohet nëse akuzuesi ka kontaktuar, a është ai zëri i tij dhe a ka marrë pjesë në shitjen e “Makedonska Bankës”. Dua të konstatoj se i gjithë ky proces në të cilin audio-xhirimi si dëshmi kyçe, Den Donçev, i cili personalisht e ka dorëzuar audio-xhirimin dhe dëshmitë materiale, personalisht tek unë në dorë, nuk është ftuar të dëshmojë edhe pse aso kohe ishte sekretar gjeneral i VMRO-DPMNE-së në atë kohë. Edhe seanca e sotme gjyqësore, ku Gjyqi dëshmoi Nikolla Gruevski të mos japë përgjigje nëse zëri i xhirimit është i tij ose jo dhe të thirret në njoftim partiak, vetvetiu e konfirmon këtë farsë”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.          
                                                                       
Por, Gruevski para Këshillit Gjyqësor deklaroi se gjithçka që është thënë në konferencat e liderit të LSDM-së janë të pavërteta dhe tentim për t’i dëmtuar reputacionin personal.
 
“Vështirë është të përshkruhet ndjenja  dhe brenga se dikush beson në të pavërtetat dhe shpifjet. Unë e kuptoj kritikën politike, por kjo është diçka krejt ndryshe”- tha Gruevski.
 
Ai edhe para gazetarëve përsëriti qëndrimin se nuk ka dëshmi me të cilat lideri i opozitës do të dëshmonte fajësinë e tij.  
         
“Menjëherë pas rrethit të parë të zgjedhjeve, në muajin prill, zoti Zaev doli me një sërë konferencash për shtyp, me një shpifje të madhe kundër meje, se kam marrë para ryshfet njëherë 1 milion e gjysmë dhe herën e dytë 2, 4 milion euro, se nuk kam paguar tatim, se kam qenë baba i kriminalitetit në Maqedoni dhe deklarata të ngjashme me të cilat ishte e dukshme se dëshiron ta prish reputacionin tim personal dhe të më dëmtojë në këtë plan. Ne atëherë dhamë demant me komunikata, por ai vazhdoi me akuzat. Sot, kur gjendet para Gjyqit, me të gjitha forcat tenton të thotë se nuk ka thënë ashtu, por se vetëm ka shprehur dyshim të bazuar”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Dje, dëshmitari që kishte propozuar Zoran Zaev, afaristi Jovica Stefanoviq-Nini, ka mohuar të ketë dhënë ryshfet për blerjen e “Makedonska Bankës”, ndërsa ka theksuar se nuk i njeh personalisht as Zoran Zaevin, as Nikolla Gruevskin, e as Den Donçevin. (Gyltene Sinani, TVM2)