Botë
Protesta e opozitës në Shqipëri, Basha: Paqësore, qeveria dhe policia ushtroi dhunë
12.05.2019 17:29
Nuk ka paqe për politikën shqiptare, pas protestës së dhunshme të opozitës....

Nuk ka paqe për politikën shqiptare, pas protestës së dhunshme të opozitës, e nisur në orën 18.30 të pasdites së djeshme, dhe e përfunduar në orën 2 pas mesnate. Partia Demokratike e ka vijuar protestën edhe sot para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, nga ku kryetari Lulzim Basha foli për një skenar dhunë nga ana e qeverisë e policëve, pasi sipas tij protestuesit ishin paqësorë. Madje ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e ditës së nesërme.
“Vetëm pak orë më parë, junta kriminale e Edi Ramës e shndërroi Tiranën në një fushë beteje me popullin, në një fushë beteje me protestuesit, të cilët u bashkuan në protestën më të madhe për liri, demokraci, për Kushtetutë për shtet të se drejtës, për gjithçka që duhet e do ta bëjë Shqipërinë Evropë. Vetëm pak orë më parë, e gjithë qendra e Tiranës, u përball me gazin helmues. Ky ishte një akt kriminal që kjo juntë kriminale i përgjigjet aspiratës për liri dhe demokraci. E ka të kotë! Popullit nuk ndalet opozita nuk ndalet!", tha Lulzim Basha.
Në një dalje urgjente për shtyp, kryeministri Edi Rama tha se nuk ka shanse që të rrëzohet një qeveri legjitime, ndërsa u shpreh se ende është I hapur për dialog.
“Unë jam këtu i gatshëm për dialog, për të diskutuar me Lulzim Bashën. Ulemi, flasim dhe kthejmë në nisma ligjore shqetësimet që ata kanë për të përmirësuar jetën e popullit, nëse kjo nuk është një luftë e ulët për të bërë një pazar. Të ulemi dhe të flasim për çdo shqetësim... Nuk ka shanse që të rrëzosh një qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhjet ku ti ke qenë pjesë e qeverisë me këto forma. Nuk ka shanse, nuk ndodh. S’ka ndodhur askund dhe nuk do të ndodhë as këtu. E di që synimi është gjetkë. Është që të vendose vendi në kushte pamundësie. Nuk jemi të pagabueshëm dhe as pa gabime, por jemi të vetmit që përpiqemi, pavarësisht se herë ia dalim e herë jo”, tha Edi Rama.
Ministri i Jashtëm Gent Cakaj deklaroi se mbrëmë është kërcënuar edhe kreu i OSBE në Tiranë, Berndt Borchardt, çka e cilësoi si një akt të paprecedent. Ndërkohë reagimet nhga përfaqësitë diplomatike në Tiranë kanë bërë përgjegjëse opozitën për dhunën, ndërsa kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje në protestat e ardhshme.
Zyrtarisht sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë lënduar 18 efektivë policie dhe 12 qytetarë. ndërkaq, pritet që numri prej 80 të arrestuarish të rritet në orët në vijim, pasi grupi hetimor po kryen verifikime të pamjeve filmike.
LULJETA NDOKA
