Kulturë
“Eurovizion 2019”, Jonida Maliqi dhe Tamara Todevska gati për garën
13.05.2019 13:22
Nesër në Tel Aviv mbahet nata e parë e Eurovizionit, eventit më të madh të këngës evropiane....

Nesër në Tel Aviv mbahet nata e parë e Eurovizionit, eventit më të madh të këngës evropiane, që vjen për ju si gjithmonë drejtpërdrejt në ekranin e Servisit Publik. Shqipëria përfaqësohet nga Jonida Maliqi me këngën “Ktheju tokës”, që do të këndohet në shqip. Edhe Maqedonia e Veriut përfaqësohet nga një tjetër vokal i fuqishëm femëror, Tamara Todevska, me këngën “Proud”, që vjen në anglisht. Gazetari ynë, Avni Qahili, ka intervistuar të dyja këngëtaret para fillimit të emocionit të garës.
- Avni Qahili: Më thuaj si po të kalojnë ditët në Tel Aviv?
- Jonida Maliqi: Kalojnë aq shpejt sa nuk ma merrte mendja, janë ditë shumë intensive, me prova, aktivitete, evente, po socializohemi dhe po lidhemi me të gjithë artistët.
- Avni Qahili: Tingëlloni të dyja sikur këndoni në Playback, ku është magjia e të kënduarit live?
- Jonida Maliqi: Duke pasur një eksperiencë kaq vjeçare në skenë, ne kemi nevojë për emocionet e vërteta, që dalin nga shpirti e që ndoshta janë të lodhshme fizikisht, por që shpalosin gjithë ndjesinë tonë. Ndryshe, duke humbur vetveten, duke bërë “me sikur” nuk do e realizoja dot këtë këngë sepse do më dukej se do i humbte gjithë e bukura. Këtu merr vlera artisti i vërtetë që i mbizotëron skenës së lajvit. Edhe Tamara ka një këngë shumë të madhe, me një temë jo vetëm feministe, por një temë sociale. Gjithsecili, prej nesh duhet të ndjehet mirë me vetveten, duhet të ndjehet “Proud”.
- Tamara Todevska: Mendoj se Jonida është shumë e fuqishme dhe e “ha” skenën.
Të dyja vendet tona do të jenë në garë të enjten dhe kjo do të thotë se sivjet shikuesit e TVM2 do të mund të votojnë për Shqipërinë për ta dërguar në finalen e madhe të së shtunës. Gjithashtu pa dyshim shpresojmë që edhe Tamara të na bëjë krenarë duke hyrë në finale.
AVNI QAHILI
