Maqedoni
Diplomatët: Samiti i Uellsit nuk ka në agjendë zgjerimin
02.09.2014 16:33
Zgjerimi i Aleancës Veriatlantike nuk do të jetë në agjendën e Samitit të Uellsit...

Këtë e bën edhe një herë të qartë ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Poll Uolers dhe ai i Britanisë së Madhe, Çarls Garret, në një konferencë të organizuar nga Këshilli Veriatlantik në Shkup, me temë “NATO-ja e ardhshme, sfidat dhe pritjet”.
Megjithatë, ata besojnë se Maqedonia një ditë do të jetë anëtare e çmuar e NATO-s, duke inkurajuar atë që të vazhdojë reformat dhe profesionalizmin, me qëllim që të sigurojë standardet e kërkuara nga NATO.
“Dua të jem i sinqertë dhe i qartë se çfarë nuk do të adresojë Samiti. Kjo nuk është diçka që duan ta dëgjojnë Maqedonia dhe maqedonasit, por është e qartë se nuk ka plane për anëtarësimin e shteteve të reja në Aleancë në Samitin e Uellsit. Do të doja të kisha lajme më të mira, por njëkohësisht dua të inkurajoj fuqishëm se SHBA beson se Maqedonia do të jetë anëtare e çmuar e NATO-s, por është çështje kohe se kur”- deklaroi ambasadori i SHBA-ve, Poll Uolers.
“Dëshira për t’iu bashkëngjitur në NATO sa më shpejtë që është e mundur është shumë e fuqishme këtu. Megjithatë, mesazhi i anëtarësisë mbetet i njëjtë, deklarata e Çikagos së vitit 2012. Por, rezultati i përgjithshëm i Samitit do të jetë i rëndësishëm për Maqedoninë, pasi nëse përmbush synimet, Samiti do të forcojë NATO-n dhe forcimi i NATO-s do të sjellë përfitime të rëndësishme në fushën e sigurisë edhe për Maqedoninë”- theksoi ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Garret.
Vendi duhet të vazhdojë përpjekjet për të qenë kandidat i denjë për anëtarësim në Aleancë, tha Ismet Ramadani, kryetari i Këshillit Veriatlantik.
“Sfidat e ardhshme të NATO-s janë edhe sfidat tona. Nuk mund të izolohemi dhe të themi se problemet që sot e karakterizojnë botën, ne nuk do të na prekin. Maqedonia duhet të vazhdojë fuqishëm në rrugën e integrimeve euro-atlantike dhe të ndërmarrë të gjitha obligimet, me qëllim që ta sigurojë vendin mes aleatëve”- potencoi kryetari i Këshillit Veriatlantik, Ismet Ramadani.
Samiti i NATO-s në Uells, do të fillojë vetëm pas dy ditësh, më 4 dhe 5 shtatorë, ndërsa pritet që të marrin pjesë përfaqësues të 60 vendeve.
NAIM RAMADANI
