Trajnim treditor rajonal, biznesmenë nga 12 vende në trajnim në Shkup
Biznesmenë të rinj nga vendi dhe 12 shtete të Europës Juglindore dhe Ballkanit.....

Biznesmenë të rinj nga vendi dhe 12 shtete të Europës Juglindore dhe Ballkanit, kanë nisur në Shkup trajnimin për të zhvilluar bizneset e tyre në nivel rajonal por edhe global. Kompanitë inovative “Vençëruell’ nga SHBA dhe “Start Up” nga Maqedonia, si organizatore të ngjarjes, do të përpiqen për tri ditë të njoftojnë biznesmenët me problemet e tregut, ofrojnë zgjidhje dhe shkëmbejnë ide.
Qëllim tjetër i trajnimit është që biznesmenët të vërshojnë tregjet e huaja.
“Ky trajnim ka për qëllim që t’u mundësojë bizneseve t’i zgjidhin problemet që kanë dhe të kenë mundësi të fitojnë investime dhe të dalin në tregun e huaj”,- tha drejtori i “Start Up” – Maqedoni, Igor Maxhov.
“Jemi këtu të zhvillojmë këto ide, pasi start apet janë elemente kyçe dhe të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por të të gjithë pjesëmarrësve në zhvillimin e ekonomive në vendet e tyre. Shpresojmë të mos mundësojmë vetëm zhvillim të start apeve, por edhe trajnimin si dhe zhvillimin e modeleve të reja të biznesit, krijimin e një rrjeti si dhe krijimin e rrjetit rajonal të tregut, por edhe në tregun global”,- theksoi drejtori i “Vençëruell”, Hit Nekvin.
Trajnimi do të zgjasë tri ditë dhe më pas më të mirët nga gjithsej 46 pjesëmarrës do të kenë mundësi të prezantojnë idetë në Amerikë, ku do të marrin mbështetje për zhvillimin e bizneseve të tyre. (Meral Ismaili, TVM2)
