Maqedoni
Spasovski: Nuk ka pengesa juridike, Interpoli të shpall urdhër-arrest për Gruevskin
13.05.2019 14:58
Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, pret që Interpoli të shpall urdhër-arrest ndërkombëtar për ish kryeministrin, Nikolla Gruevski....

Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, pret që Interpoli të shpall urdhër-arrest ndërkombëtar për ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, për akuzën “rrezikim terrorist të rendit kushtetues” për ngjarjet e “27 prillit”. Ai tha se Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë kanë kompletuar dokumentacionin dhe nuk ka asnjë pengesë juridike që urdhër-arresti të shpallet.
“Të gjitha dokumentet janë siguruar dhe parashtruar deri te Interpoli lidhur me ngritjen e urdhër arrestit për “rrezikimin terrorist të rregullimit kushtetues” për ngjarjet e “27 prillit” dhe presim që një urdhër arrest i tillë të shpallet. Ata ende po kryejnë hetime për atë se urdhër arresti a i plotëson kriteret për publikim në Interpol. Urdhër arrestin e shpall gjykata. Ashtu siç është ngritur me të gjitha dokumentet e nevojshme pa asnjë mungesë është dërguar te Interpoli. Jam i sigurt se nuk ka asnjë pengesë juridike, sidomos për vepra të këtilla penale unë pres që krerët e Interpolit, përkatësisht menaxhmenti, të shpall një vendim të tillë”,- tha Oliver Spasovski nga MPB.
Spasovski po ashtu theksoi se Interpoli paraprakisht kishte shpallur urdhër arrest për veprat tjera që kishin të bënin me Nikolla Gruevskin, Nikolla Boshgkovskin dhe Goran Grujovskin. Njëherit ministri i brendshëm theksoi nevojën për përmirësimin e ambientit të drejtësisë në vend, duke mos i kursyer as gjykatësit, prokurorët dhe pjesëtarët e policisë.
“Për mundësinë që të kemi me të vërtetë drejtësi për të gjithë në vend duhet të ngrihen hetime të caktuara edhe ndaj gjykatësve, prokurorëve dhe pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme, nëse dëshirojmë pa pengesa të kemi përmirësim në këtë sferë, sepse është e papranueshme MPB të ngrisë raste, t’i udhëheq, të vijmë deri te situata për ngritjen e hetimeve, arrestimet dhe pas disa orësh ata persona të lirohen nga gjykata. Kjo është e patolerueshme”,- u shpreh Oliver Spasovski nga MPB.
Këto prononcime ministri Spasovski i bëri pas fillimit zyrtar të projektit tvining ''Harmonizimi i Sistemeve Kombëtare me kërkesat e BE-së dhe të Shengenit për menaxhim me kufijtë".
GAZMEND KURTISHI
