Çmimet e derivateve, prej nesër çmimet do t’i caktojnë kompanitë, Komisioni Rregullator: Nuk presim rritje të çmimeve
Nga e marta, çmimet e reja të derivateve të naftës qytetarët do t’i mësojnë në vetë pompat e benzinës....

Nga e marta, çmimet e reja të derivateve të naftës qytetarët do t’i mësojnë në vetë pompat e benzinës, kjo pasi që mandati për vërtetimin e çmimeve të derivateve me kompaninë OKTA skadon mesnatën mes të hënës dhe të martës.
Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë theksojnë se metodologjia e re pritet të vihet në funksion nga java e ardhshme, pasi kuvendi të ketë miratuar ndryshimet në Ligjin për energjetikë.
Deri atëherë nga KRRE apeluan te tregtarët që çmimet e derivateve të ngelin në kornizë të çmimeve normale.
“Nëse gjithçka shkon sipas planit, pres javës së ardhshme Komisioni Rregullator për Energjetikë të sjell metodologjinë e re. Kurse sa i përket çmimeve shok, kam thënë edhe në të kaluarën por edhe tani do ta potencoj, se nuk pres që tregtarët të bëjnë çfarëdo qoftë aventure dhe nxisin çmime shokuese. Nëse i hyjnë asaj aventure para sjelljes së metodologjisë së re, veprimet e tyre do t’i marrim në konsideratë, por nga komunikimi im me pjesën më të madhe të tregtarëve nuk pres shfrytëzim të kësaj periudhe vakuum nga ana e tyre”,- tha kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski.
Çmimi i derivateve sipas metodologjisë së re do të përcaktohet sipas lëvizjes së çmimeve në bursat botërore të naftës dhe kursit të këmbimit të dollarit, ndërsa në konsideratë gjatë caktimit të çmimeve do të merren edhe shpenzimet e tregtarëve gjatë furnizimit, magazinimit dhe transportit.
Në pajtim me ndryshimet e reja, në vend të çdo dy jave, siç ishte deri më tani, Komisioni do të rregullojë çmimin e karburanteve një herë në javë. Ndërsa në mënyrë plotësuese do të rregullohet edhe marzha e fitimit për tregtarët.
Nga Komisioni theksojnë se fitimet nga ana e tregtarëve do të duhet të jenë të arsyeshme. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
