Maqedoni

Ndryshimet në qeveri, Spasovski: Duhet të ketë ndërrim të kuadrove

13.05.2019 15:51

Nënkryetari i LSDM-së, Oliver Spasovski, e mbështet paralajmërimin e kryeministrit për ndryshime në kabinetin qeveritar....

Ndërrimi i kuadrove duhet të ndodhë mbi bazën e kriteriumeve të vërtetuara, angazhimeve dhe punën e tyre, tha Spasovski, i cili nuk shqetësohet nga mundësia që edhe ai të shkarkohet nga detyra e ministrit të brendshëm.
 
“Unë e mbështes kryetarin Zaev në raport me gjithë procedurën që po paralajmërohet, pasi që mendoj se duhet të ketë edhe rikonstruim, por edhe ndërrim të disa kuadrove mbi bazën e kriteriumeve të cilat do të vërtetohen duke u bazuar në angazhime dhe punë. Dua që t’u informoj ju dhe gjithë opinionin se nga kjo fare nuk jam i brengosur. Unë po punoj edhe tani si ditën e parë. Nëse merret një vendim i tillë, fati im nuk mund të jetë më i rëndësishëm se i gjithë njerëzve në shtet dhe kështu do të duhet të sillen të gjithë funksionarët”,- deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Oliver Spasovski.
 
Po ashtu Spasovski tha se edhe në MPB ka pasur dhe do të ketë ndërrim të kuadrove që nuk kanë shënuar rezultate.
 
“Gjithmonë do të kemi situatë kur do të vlerësohet puna e cilado qoftë në MPB, pavarësisht nëse ndodhet në pozicion udhëheqës apo zyrtar policor dhe mbi bazën e principeve të tilla do të merren vendimet”,- tha nënkryetari i LSDM-së, Oliver Spasovski. 
 
Procesi i vetingut zhvillohet veçmas dhe duhet të zbatohet dhe për të po përgatitet korniza ligjore, shtoi Spasovski. Kryeministri, Zoran Zaev, midis dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale paralajmëroi ndryshime në më shumë pozicione udhëheqëse, përfshi edhe kabinetin qeveritar, ndërsa hapa konkretë priten pas kthimit nga pushimi disaditor i kryeministrit, që siç është paralajmëruar nga kabineti i tij, përfundon të martën.
 
NAIM RAMADANI