Dita e parë e punës e presidentit të ri të RMV-së, Pendarovski priti euroambasadorin Zhbogar
Prioritet mbi prioritetet e presidentit të ri të vendit, Stevo Pendarovski...

Prioritet mbi prioritetet e presidentit të ri të vendit, Stevo Pendarovski, do të jetë vazhdimi dhe përshpejtimi i rrugës euro-atlantike të vendit. Kjo u potencua në komunikatën e parë të kabinetit presidencial pas takimit me euroambasadorin, Samoel Zhbogar, që presidenti i ri e realizoi në ditën e parë të punës në vilën Vodno. Pendarovski njëherit theksoi se fillimi i bisedimeve për anëtarësim të vendit në BE është i merituar dhe i domosdoshëm, me qëllim të nxitjes së reformave të përgjithshme dhe ngritjen e kulturës së përgjithshme politike në vend.
Pendarovski njëherit u zotua para ambasadorit Zhbogar se institucioni President dhe Maqedonia e Veriut do të jenë tëpërkushtuar maksimalisht në agjendën europiane.
“Ambasadori Zhbogar ia uroi kryetarit Pendarovski detyrën e re, po ashtu ambasadori i dorëzoi një telegram urimi nga kryetarët, Tusk dhe Junker. Në takimin në fjalë janë shkëmbyer ide rreth vazhdimit të rrugës euro-integruese të vendit dhe përshpejtimin e tyre. Po ashtu në këtë takim u caktuan prioritetet dhe reformat të cilat duhet të realizohen gjatë javëve të para të mandatit të presidentit. Presidenti Pendarovski ia bëri me dije ambasadorit Zhbogar se fillimi i negociatave për anëtarësim të plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian është plotësisht e merituar, por është edhe i domosdoshëm për t’i nxitur reformat e tërësishme në vend”,- thuhet në komunikatën e kabinetit presidencial.
Ambasadori Zhbogar përshëndeti fjalimin e presidentit të ri të vendit gjatë inaugurimit të tij në Kuvend, ku shprehi gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë me opozitën dhe për të shtrirë dorën e bashkëpunimit ku të gjitha forcat politike të ecin bashkërisht rrugës së integrimeve euro-atlantike.
“Shpresojmë në një bashkëpunim të suksesshëm me presidentin Pendarovski gjatë javëve dhe muajve në vijim në interes të proceseve integruese të RMV-së drejt Bashkimit Europian. Shpreha mirënjohjet e mija për fjalim në Kuvend, që të shtrihet dora e bashkëpunimit për të mirën e qytetarëve të vendit tuaj. Republika e Maqedonisë së Veriut është e vetmja demokraci funksionale në rajon, duke marrë parasysh organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve presidenciale, si dhe qasja korrekte e opozitës për ta pranuar epilogun e zgjedhjeve. Pres nga liderët e vendeve anëtare të BE-së të jenë principielë, t’i përmbahen premtimeve të tyre dhe të valorizojnë të arriturat e deritanishme”,- theksoi ambasadori i delegacionit të BE-së, Samoel Zhbogar.
Në mesin e punëve të para që pritet të bëjë presidenti i ri i vendit, Stevo Pendarovski, pritet të jetë nënshkrimi i ndryshimeve ligjore të sjella nga kuvendi, të cilat nuk i kishte nënshkruar ish-presidenti, Gjorge Ivanov, pasi ato ishin miratuar me emrin e ri të shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut, në mesin e të cilëve edhe Ligjin për energjetikë që e ka lënë Komisionin Rregullator i Energjetikës pa rregullore për caktimin e çmimit të derivateve të naftës. (Fitim Kryeziu, TVM2)
