Maqedoni
MASh: Programe të reja për arsimin muzikor
13.05.2019 16:28
Duke filluar nga shtatori, nxënësit e klasës së gjashtë, shtatë, tetë dhe nëntë, të arsimit fillor...

Duke filluar nga shtatori, nxënësit e klasës së gjashtë, shtatë, tetë dhe nëntë, të arsimit fillor, do të mësojnë me programin e ri mësimor në lëndën e arsimit muzikor, që është miratuar nga MASh.
Sipas ministrit të arsimit, Arbër Ademi, programet e reja ofrojnë mundësi që secili nxënës të mësojë kulturën e komunitetit që i përket por edhe komuniteteve tjera.
“Vite me radhë janë kritikuar programet aktuale të vjetra tashmë të muzikës ku hasnim në këngë të përkthyera, ndërsa sot i kemi në versionin origjinal, duke pasur një kontribut të grupit të punës. Përmirësimi i përmbajtjes së teksteve shkollore do të vazhdojë edhe në periudhën që vjen”,- deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Problemet me të cilat përballeshin pedagogët janë e kaluar, theksoi ministri Ademi, sipas të cilit ky vit ka startuar me 22 tekste shkollore të korrigjuara dhe ky proces po vazhdon me dinamikë të përshpejtuar.
“Ky proces i përmirësimit, edhe i teksteve shkollore edhe i programeve mësimore, po vazhdon me një dinamikë të fuqishme nga ana e MASh-it, Byrosë për Zhvillim të Arsimit dhe institucioneve tjera kompetente”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Byroja për Zhvillimin e Arsimit do të ofrojë përkrahje për mësimdhënësit për realizimin sa më të suksesshëm të orëve mësimore.
“Do të botojmë edhe materiale didaktike për mësimdhënësit që me sukses të realizojnë orën mësimore, doracakë, cd me këngë dhe po ashtu do të realizohen edhe trajnime me mësimdhënësit sa i përket mënyrës së ligjërimit të materialit. Reforma do të vazhdojë edhe më tej për një arsimim sa më cilësor, duke vazhduar edhe me libra tjerë që do promovohen”,- tha drejtori i Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Zeqirija Hasip.
FLUTURA LATIFI
